Të paktën gjashtë persona, përfshirë edhe një grua 95-vjeçare, janë vrarë pasi një raketë ruse goditi një ndërtesë apartamentesh në Lviv, në Ukrainën perëndimore.
40 persona të tjerë u plagosën në atë që kryebashkiaku i Lviv e përshkroi si “një nga sulmet më të mëdha” në infrastrukturën civile të qytetit.
Sipas kryebashkiakut, Andriy Sadovyi, 35 ndërtesa u dëmtuan gjatë natës.
Televizioni shtetëror rus tha se një akademi mbrojtëse u godit. Ajo nuk dha asnjë provë për të mbështetur pretendimin e saj.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u zotua për një përgjigje ndaj sulmit brenda natës nga “terroristët rusë”.
Dy ditë zie u shpallën në Lviv mëngjesin e së enjtes.
Të enjten në mbrëmje, shpëtimtarët – të cilët kishin kërkuar rrënojat gjatë gjithë ditës – gjetën trupin e një gruaje, viktima e gjashtë e konfirmuar e sulmit rus.
“Disa njerëz të tjerë mund të jenë ende të bllokuar,” tha Sadovyi.
Ai shtoi se janë dëmtuar 60 banesa dhe 50 automjete.
Më herët gjatë ditës, kreu i rajonit të Lviv Maksym Kozytskyi tha se më e moshuara nga viktimat – një e mbijetuar i Luftës së Dytë Botërore – ishte 95 vjeç.
“Ka një strehë pranë shtëpisë që u godit nga raketa,” tha Kozytskyi.”Është në gjendje të mirë dhe ishte i hapur në momentin e alarmit. Por, vetëm pesë persona ishin në strehë nga e gjithë ndërtesa. Shumë zhgënjyese.”
Një dëshmitare e quajtur Olya tha për BBC se ajo u zgjua nga shpërthimi i parë, por nuk pati kohë të largohej nga apartamenti kur dëgjoi një shpërthim të dytë.
“Tavani filloi të bjerë”, tha ajo. “Mamaja ime u godit menjëherë, unë u hodha jashtë dhe u mbulova me rrënoja vetëm deri në gjunjë. U përpoqa të arrija nënën time, por nuk munda, arrita te dritarja, fillova të bërtas dhe pas rreth gjysmë ore më arritën shpëtimtarët, më nxorën jashtë dhe më çuan në spital.
Dr Sasha Dovzhyk, e cila punon në Institutin Ukrainas në Londër, por aktualisht ndodhet në Lviv, përshkroi se ishte fshehur në banjën e saj kur dëgjoi sirenën e sulmit ajror.
Për muaj të tërë, Rusia ka kryer sulme vdekjeprurëse me raketa dhe me dronë në qytetet e Ukrainës, duke goditur shpesh objektiva civile dhe duke shkaktuar ndërprerje të gjerë të energjisë elektrike.