Përkthimit të pothuajse gjithë opusit letrar të Hesse-s i erdhi fundi!
Tani, në shtëpinë botuese “Dukagjini”, e cila mban të drejtën ekskluzive për nobelistin gjermano-zviceran Hermann Hesse, kemi kompletuar botimin e gjashtëmbëdhjetë librave të tij, shumica prej të cilëve vijnë për herë të parë në shqipe. Hermann Hesse është njëri ndër shkrimtarët më të shquar të shekullit të kaluar, i cili pati ndikim të madh në filozofinë shpirtërore. Përkthimi i veprave të Hesse-s kërkon jo vetëm njohje të gjuhës gjermane, por edhe të kuptuar të thellë të stilit dhe të filozofisë së tij. Përkthimi cilësor është jetik për ruajtjen e thelbit të elementeve, si: natyra filozofike dhe shpirtërore, stilistika dhe ritmi i gjuhës, konteksti kulturor dhe filozofik. Kjo është arritur përmes përkthyesve të zotë të angazhuar në këtë projekt, i cili solli veprat si më poshtë:
1. “Ujku i Stepës” nga Herman Hesse është një rrugëtim brenda vetes si dhe një strukturë shpirtërore vetjake. Në këtë kuptim, “Ujku i Stepës” ruan magjinë e letërsisë si roman, mençurinë filozofike si traktat dhe habinë e pikëllimin për fatin njerëzor si testament.
2. “Peter Camenzind”: Kamenzindi, njësoj si Halleri a Siddhartha, karakterizohet nga një vuajtje e brendshme, një zbrazëti që e çon atë në udhëza të ndryshme shpirtërore e fizike, për t’u “plotësuar” nga idealet e Shën Françeskut të Asizit. Në këtë novelë poetike rrëfehet rrugëtimi i protagonisit Piter Kamenzind, i cili arrin ta tejkalojë familjen, provincën… për t’iu dorëzuar instinktit, për ta kërkuar shtazoren.
3. “Demiani” paraqet historinë e Emil Sinklerit; reflektimet e një shkrimtari të pjekur mbi fëmijërinë dhe adoleshencën e tij, në rrugën drejt kërkimit të vetvetes.
4. “Nën rrotë”: Si arrijnë sistemi edukativ dhe presioni shoqëror ta shkatërrojnë potencialin e individit? Bazuar në këtë pyetje thelbësore, Hermann Hesse shtjellon historinë e Hans Gibenratit, në librin e tij “Nën rrotë”.
5. “Rosshalde” nga Hermann Hesse është një shembull tipik i hulumtimit të kompleksitetit ku ndërthuren pasioni artistik, identiteti i individit dhe dashuria. Hesse përshkruan jetën e zakonshme të Johan Feragutit, i cili gjendet në një tension mes përmbushjes artistike dhe sfidave konvencionale martesore. Ai thellohet në ndërthurjen e dimensionit psikologjik me atë filozofik te personazhi i tij – supozojmë autobiografik – duke e bërë lexuesin të reflektojë mbi vetë jetën e tij.
6. “Përralla”: Hesse, i cili njihet për romanet e tij filozofike, bën një “ikje” nga stili i tij unik, për të na dhënë këtë koleksion fantastik “përrallash”, ku secila bart një mesazh të thellë në vete. Shkrimi karakterizohet nga alegoria dhe simbolika, ndërsa ngjarjet i ftojnë lexuesit drejt një thellimi në shtresat kuptimore të veprës. Secila ngjarje paraqet një rrugëtim, përmes të cilit personazhi reflekton mbi qenien e vet, qëllimin dhe kuptimin e tij, shpeshherë duke gjetur identitetin e vet.
7.“Gertruda”: Hesse-ja rrëfen historinë e kompozitorit Kuhn dhe marrëdhënien e tij të komplikuar me dy artistë: të pakënaqur e pa shpresë, Gertruda dhe Hajnrih kanë një martesë kaotike, që i lë të dy të shkatërruar. Megjithatë, kjo çështje tragjike bëhet frymëzimi për operën e Kuhn-it – suksesi më i rëndësishëm i jetës së tij artistike.
8. “Pelegrinët e Lindjes” është rrëfimi i Hesse-së për pelegrinazhin e brendshëm, një alegori mbi dëshirën njerëzore për iluminim dhe rrugën e gjatë që duhet të përshkohet drejt atij qëllimi përfundimtar. Përmes një narracioni jashtëzakonisht të rrjedhshëm, ky libër shpërfaq përjetimet dhe reflektimet e shumë viteve të luftës shpirtërore të autorit.
9. “Luftë dhe Paqe”: Ky libër sjell reflektime mbi luftën dhe politikën – një seri esesh dhe shkrimesh të tjera nga Hermann Hesse. Ai mbulon periudhën 1914-1948. Në thelb, libri është kritikë për luftën dhe përpjekjet gjermane të luftës, megjithatë përmban edhe rrëfime të shumanshme të gjermanëve të ndryshëm që i rezistuan luftës.
10 & 11. “Knulpi & E bukur është rinia”: botuar fillimisht në Gjermani më 1915, “Knulpi” ishte libri më i popullarizuar i Hermann Hesse-s atëbotë. Në këtë roman, Hesse-ja përshkruan jetën e një endacaku të quajtur Knulp, i cili në pamje të parë duket se bredh për shtëpi, por në thelb përfaqëson rrugëtimin e njeriut në kërkim të kuptimit dhe të identitetit të tij. Knulpi është simboli i njeriut me prirje e talente të mëdha, të cilat nuk i ka shfrytëzuar asnjëherë për shkak të rrjedhave të jetës, për të përfunduar në një jetë në zgrip të greminës. Mjeshtri i rrëfimit, Hermann Hesse, na e jep këtë histori nga tri perspektiva të ndryshme. Në këtë botim të veçantë, është përfshirë edhe novela “E bukur është rinia”, e cila rrëfen kthimin e një të riu në shtëpinë e prindërve pas eksperiencave e udhëtimeve të shumta larg shtëpisë. Libri shpërfaq elemente autobiografike të autorit.
12. “Jetëshkrimi i katërt i Jozef Knehtit”: në këtë vepër, personazhi i Hesse-s analizon ngjarjet e jetës së tij nga spektri introspektiv. Jetëshkrimin e Jozef Knehtit na e paraqet në dy perspektiva, të rrëfyera njëra në vetën e parë, ndërsa tjetra në vetën e tretë. Kjo formë rrëfimi ka karakteristikat e një refleksioni filozofik mbi veprimet dhe pasojat e këtyre veprimeve në jetën e brendshme të individit. Ai rreket në kërkim të një harmonie midis intelektit dhe shpirtit, dualitet i cili e ka shoqëruar pothuajse gjithë krijimtarinë e nobelistit gjermano-zviceran, Hermann Hesse.
13. “Loja e rruazave prej qelqi”: një vepër me thelb filozofik dhe estetik, që fton lexuesin të reflektojë mbi natyrën e artit, shpirtin e njeriut dhe rendin shoqëror. Ky roman, i përfunduar në vitin 1943, paraqet një botë ideale të krijuar nga një shoqëri elitarësh intelektualë, ku loja e rruazave prej qelqi simbolizon kërkimin e një simetrie perfekte midis dijes dhe shpirtit. Hesse ndërthur elemente të filozofisë orientale dhe perëndimore, duke krijuar një diskurs të thellë mbi unitetin e jetës dhe rëndësinë e balancës midis logjikës dhe intuitës. Lidhur me protagonistin, Josef Knecht, autori krijon një figurë që kalon nga një rinia e mbushur me pasion intelektual në një udhëtim shpirtëror dhe filozofik që përfshin detyrën e kërkimit të kuptimit më të thellë ekzistencial. Romanit i jepet një strukturë narrativë dydimensionale dhe, në esencë, paraqet një meditacion mbi jetën, artin dhe përpjekjen për të arritur dijen, duke i dhënë lexuesit një pasqyrë të parimeve filozofike të ekzistencës dhe të mundësive të kufizuara të njeriut për t’i arritur ato.
14. “Narcisi dhe Gojarti”: në këtë roman, autori na i paraqet dy polet e ekzistencës njerëzore në kontekstin e manastirit katolicist, përmes dy personaliteteve kontrastive: Narcisi, erudit dhe asket, i cili mishëron aspektet më të thella të shpirtit njerëzor. Ai është një murg që jeton në manastir dhe është i përqendruar në zhvillimin e tij intelektual dhe shpirtëror, i cili simbolizon botën e brendshme, ndërsa, në anën tjetër, Gojarti, shpirt artisti e endacaku, i cili mishëron intuitiven dhe pasionin e përjetimit të botës së jashtme. Përmes këtij ballafaqimi, autori, në mënyrë mjeshtërore, krijon këtë dialog filozofik për qenien njerëzore. Pavarësisht dallimeve të theksuara midis këtyre dy personazheve, Hesse na paraqet rrugëtimin e tyre shpirtëror si rrugë drejt unitetit. Ai mëton se vetëm përmes bashkimit të këtyre dy botëve, mendimit të thellë dhe pasionit intuitiv, individët mund të arrijnë ta njohin veten.
15 & 16. “Tregime & Brenda kaosit (tri ese)”: në këtë koleksion tregimesh, në kontekstin e një shoqërie ku individët shoqërohen nga një tension ndërmjet natyrës së brendshme dhe botës së jashtme, Hesse-ja eksploron brendinë shpirtërore dhe emocionale të qenies. Të gjitha tregimet, në retrospektivë, paraqesin nevojën e autorit për t’i rikthyer kujtimet e së kaluarës, në formë nostalgjie, si dhe mospajtimin për kohën e humbur të së shkuarës, që lë gjurmë të thella, pa dyshim, mbi individin. Hesse na mëson se, kur ne kthehemi në të kaluarën, ne nuk e shohim atë siç ajo ka qenë, por siç do të dëshironim të ishte, në sensin e përjetimit: më e bukur, më plotësuese. Miqtë”, “Në diellin e vjetër”, “Klajni dhe Vagneri” dhe “Vera e fundit e Klingstorit” janë katër tregimet e përzgjedhura që përbëjnë këtë koleksion fantastik të nobelistit.
Në librin e dytë, “Brenda kaosit”, Hesse na ofron tri ese fantastike të botëkuptimit dostojevskian. Për Hesse-n, Dostojevski është shkrimtari që ka kuptuar më së miri esencën komplekse të natyrës njerëzore. Në dy esetë e para, Hesse analizon personazhet e Dostojevskit, Vëllezërit Karamazovë dhe “Idiotin”, idealin e tyre – një ideal aziatiko-okult, i cili nis të bëhet evropian dhe ta gllabërojë shpirtin e Evropës, dhe këtë ai e quan “Rënie të Evropës”. Në esenë e fundit, autori, në mënyrë mjeshtërore, stis një dialog filozofik mes Kebesit dhe Teofilit mbi inovatorët e artit.