Kushtrim Gara, nga Komisioni Qeveritar për të Pagjeturit, ka njoftuar se gjatë gërmimeve në Bishtazhin të Gjakovës, kanë hasur në mbetje mortore, të cilat dyshohet se u përkasin viktimave të luftës.
Në një njoftim për media, Gara ka thënë se të dhënat do të saktësohen pas ekzaminimit të nevojshëm mjekoligjor.
“Gërmimet vlerësuese të filluara ditë më parë, sot kanë rezultuar me gjetje të mbetjeve mortore (eshtra) që potencialisht iu përkasin viktimave të luftës, e që vazhdojnë të jenë në Listën e Personave të Zhdukur. Sigurisht këto të dhëna do të saktësohen pasi të përfundojnë gërmimet dhe ekzaminimet e nevojshme mjekoligjore, përfshirë edhe identifikimin përmes analizës së ADN-së në Komisionin Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur”, tha ai.
Lokacioni në Bishtazhin, sipas Garës, mbetet një nga rastet dhe lokacionet më të rëndësishme e specifike të trajtuara gjatë këtyre dy viteve.
Ky lokacion, sipas të dhënave të KQPZH-së, nga ‘Raporti Analitik i përgatitur nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq’, siç thotë, ishte përdorur nga forcat serbe gjatë luftës si varrezë masive për varrosjen e viktimave të tri rasteve të rrëmbimit dhe të zhdukjes me forcë / masakrave të kryera nga forcat serbe në qytetin e Gjakovës dhe fshatrat përreth.
“Në përpjekje të fshehjes së gjurmëve të krimit, në fund të luftës forcat serbe ishin rikthyer në këtë lokacion për të tërhequr kufomat e viktimave nga kjo varrezë masive dhe për t’i dërguar në drejtim, për ne, të panjohur (deri në hapjen e varrezave masive, në vitin 2001, në territorin e Serbisë), ku ishte konfirmuar ‘lidhshmëria’ e këtij lokacioni me një nga varrezat masive në territorin e Serbisë”, shtoi ai.
Po ashtu, ai theksoi se në ditët e para të pasluftës, ekipet ndërkombëtare, nën mandatin e ish-Tribunalit të Hagës, me kërkesë të banorëve kishin ekzaminuar këtë lokacion, ku ishin gjetur dhe tërhequr mbetje mortore (pjesë kockore) nga sipërfaqja në këtë lokacion, pra pa ndonjë gërmim kërkues, dhe që këto mbetje mortore në procedurë të mëtejme të ekzaminimit dhe të identifikimit përmes ADN-së ishte konfirmuar që iu përkisnin 19 viktimave të luftës (nga tri masakra/raste të rrëmbimit e zhdukjes me forcë), e që pjesë kockore të këtyre viktimave, por edhe viktimave të tjera nga të njëjtat masakra ishin gjetur edhe në njërën nga 5 varrezat masive të hapura deri më tani në territorin në Serbi.
“Megjithatë meqë nga tri masakrat dhe rastet e zhdukjes me forcë (ku viktimat nga këto maskra ishte konfirmuar që kanë qenë të groposura /varrosura në këtë lokacion) kemi ende viktima në Listën e Personave të Zhdukur, pas konsultimeve ndërinstitucionale të një ekipi të shkëlqyer (KQPZh, Policia e Kosovës/DHKL dhe IML me mbështetjen edhe të ekspertëve të EULEX-it) sipas rekomandimeve nga Raporti Analitik i përgatitur dhe trajtuar me KNKK, dhe pas ndjekjes së procedurave të nevojshme, jemi rikthyer në këtë lokacion gjatë këtyre dy jave me mbështetjen të jashtëzakonshme nga Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës”.
Gara është shprehur falënderues ndaj të gjithë ekspertëve mjekoligjorë, hetuesve policorë, zyrtarëve e shërbyesve civilë, si dhe profesionistëve mbështetës ndërkombëtarë, të cilët si një ekip i vetëm po orvaten t’ua lehtësojnë familjeve barrën e pritjes.
E një mirënjohje të veçantë e pati për të gjitha familjet që përkundër dhimbjes e ankthit të pritjes, janë duke mbështetur në vazhdimësi punën e institucioneve, në përpjekjen e përbashkët për ndriçimin e së vërtetës, për ndriçimin e fatit dhe të vendndodhjes së personave të zhdukur me forcë.