Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se ka zbuluar një hapësirë të fshehur (bunker) për fshehjen e medikamenteve të kontrabanduara në Prishtinë.
Dogana ka njoftuar se pas pranimit të informatave përsëri përmes aplikacionit e-dogana, lidhur me parregullsitë potenciale, zyrtarët doganorë kanë organizuar një kontrollë në një barnatore në Prishtinë. Gjatë kontrollimit, janë hasur në barna të kontrabanduara si dhe në hapësirën e veçantë për fshehjen e mallrave të kontrabanduara.
“Medikamentet janë sekuestruar dhe ndaj pronarit është iniciuar procedurat kundërvajtëse. Aplikacioni i lansuar nga dogana si dhe bashkëpunimi me qytetarët po jep rezultate çdo ditë, derisa dogana inkurajon qytetarët që të përcjellin informata pasi njësitet tona janë të gatshme për të verifikuar informatat”, thuhet në njoftimin e Doganës.
Dogana e Kosovës ka aplikacionin e-Dogana për pajisjet e mençura android dhe ios, i cili mundëson lajmërimin e parregullsive dhe sjelljeve joprofesionale me komunikim të sigurt, dhe gjithashtu ofron shërbime të tjera me qëllim të shërbimit ndaj qytetarëve dhe komunitetit të prodhuesve dhe tregtisë në përgjithësi.