Duhet vetëm një minutë për të ecur mbi urën që lidh të dyja anët e lumit Ibër në qytetin e Mitrovicës, e megjithatë është një udhëtim që të kthen vite pas.
E rinovuar pas ndërhyrjes së NATO-s për t’i dhënë fund konfliktit etnik në Kosovë, shpresa ishte se ura do të shndërrohej në një simbol të unitetit në vendin e ndarë. Më shumë se dy dekada më vonë, ai mbetet kufiri midis botëve që janë përplasur sërish javët e fundit.
Në jug shtrihet pjesa e gjallë e Mitrovicës që është shtëpia e shumicës etnike shqiptare, e mbështetur nga remitancat nga një diasporë që iku nga lufta. Ka dyqane të reja, apartamente që po ndërtohen dhe restorante të frekuentuara ku paguhet me euro. Në veri, kryesisht qytetarë serbë etnikë jetojnë në harresë, të paralizuar nga politika intransigjente e rajonit. Ata nuk janë as pjesë e Serbisë dhe as — në praktikë — pjesë e Kosovës.
“Në 23 vjet, ata bënë shumë pak për t’i bashkuar të dy komunitetet,” tha Veroljub Petronic, një analist sigurie në zonën serbe të qytetit, në zyrën e tij në katin e parë të vendosur në një ndërtesë apartamentesh të shkatërruara jashtë sheshit kryesor. “Njëra palë nuk na do; pala tjetër nuk duhet të na marrë”.
Tensionet e fundit janë pas shtytjes së Kosovës këtë verë për të standardizuar kartat e identitetit dhe targat e makinave, diçka që mund të duket relativisht e parëndësishme për të huajt duke pasur parasysh luftën brutale të Rusisë në Ukrainë. Por, në një kontinent që po përndiqet nga betejat ndërmjet lindjes dhe perëndimit, ‘dështimi’ i kombit të vogël prej 1.8 milionë banorësh për të ecur përpara mbart një paralajmërim ogurzi për Evropën.
Ndarja de fakto e Kosovës pasoi tërheqjen e detyruar të forcave serbe për në Serbi. Nga ana tjetër, Serbia e sheh Kosovën si të sajën, djepin e kombit ortodoks, ngjashëm me qëndrimin e Vladimir Putinit ndaj Ukrainës. Së bashku me Rusinë aleate (dhe pesë anëtarë të Bashkimit Evropian, ndër të tjera), Serbia refuzon të njohë Kosovën kryesisht myslimane si një shtet sovran.
Ndarjet Etnike të Kosovës
Shumica shqiptare e Mitrovicës dhe pakica serbe ndahen nga lumi Ibër.
Mitrovica përmbledh se si ngecja midis lidershipit serb dhe kosovar i ka penguar të dy vendet të bien dakord për një marrëveshje përfundimtare të pasluftës, një parakusht për çdo shans për anëtarësimin në BE që të dyja palët e lakmojnë, së bashku me Ukrainën.
Ura e këmbësorëve, e ruajtur gjatë gjithë kohës nga karabinierët italianë, është e hapur për të gjithë qytetarët. Fluksi i njerëzve, megjithatë, është aq i pakët sa nuk zgjon as qentë endacakë të shtrirë në diell. Shumica e të rinjve të lindur pas luftës të cilët janë intervistuar në mbarë Kosovën gjatë një jave të fundit, nuk kanë qenë kurrë në anën tjetër të lumit Ibër. Ata që e bënë, thanë se shkuan fshehurazi.
“Asnjëherë nuk e dini se çfarë do të ndodhë këtu,” tha Branko Milosavljeviç, një pensionist 70-vjeçar, ndërsa po kalonte urën në anën veriore. “Situata nuk është më e mirë, gjithçka mbetet e njëjtë. Nuk ka asnjë përparim.”
Në përgjithësi, rreth 100 mijë serbë ende jetojnë në Kosovë, me një shumicë dërrmuese në veri të vendit. Të mbështetur shumë nga Serbia, ata ende përdorin monedhën e saj dhe i zbukurojnë qytetet dhe fshatrat e tyre me flamuj serbë. Shumica e partive politike janë besnike ndaj presidentit serb Aleksandar Vuçiq.
Por, kjo e ka kthyer gjithashtu veriun e populluar nga serbët në një zonë gri, një zonë e mbështetur nga ajo që qeveria e Kosovës e sheh si agresore dhe pa juridiksion të përcaktuar qartë pasi të dyja palët pohojnë autoritetin mbi territorin.
Në zonën serbe të Mitrovicës, fëmijët luajnë futboll mes qenve endacakë në sheshin kryesor sepse nuk ka para për një shesh lojrash për t’i shërbyer popullatës që po zhduket dalëngadalë. Të ardhurit shihen me dyshim dhe madje edhe vendasit vazhdojnë të shohin mbi supe. Kur vozitni për në qytetin tjetër të Zveçanit, rreth pesë minuta nga Mitrovica, këshilla është të mbani një shpejtësi të qëndrueshme dhe të mos bëni asgjë për të tërhequr vëmendjen.
Tensionet u ndezën përsëri muajin (gusht) e kaluar pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shtyu një kërkesë që serbët që jetojnë në vend duhet të mbajnë dokumente të lëshuara nga qeveria e tij dhe jo nga Serbia. Kjo ishte e mjaftueshme për të vënë në gatishmëri policinë dhe forcën paqeruajtëse të KFOR-it prej 3 mijë e 800 trupash të NATO-s dhe udhëheqësit perëndimorë kërkuan një de-përshkallëzim të situatës.
Patrullat e policisë u rritën dukshëm në Mitrovicë dhe KFOR-i vendosi pika kontrolli në zonë, duke rritur rrezikun e një incidenti që mund të shkaktojë dhunë, sipas Milica Andriç-Rakiq, një analiste politikash në veri të Mitrovicës. “Është çështje kohe para se të ndalojnë një djalë radikal,” tha ajo. “Nëse kemi një incident të madh mes policisë dhe vendasve, kjo do të shfaqet.”
Vendasit nga kryeqyteti Prishtina në Mitrovicë fajësuan Kurtin dhe Vuçiqin për ndezjen e situatës me retorikën e tyre për luftë dhe spastrim etnik. Në rajonin e dominuar nga serbët, disa i kanë larguar fëmijët e tyre për herë të parë në një dekadë pasi ata u bënë nervozë.
Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, bëri një vizitë të rrallë në veri të Kosovës të martën (e 5 shtatorit). Ajo u zotua të mbajë mbështetjen financiare dhe të tjera për komunitetin pasi vendi i saj i inkurajon ata të qëndrojnë të vendosur dhe të mos braktisin shtëpitë e tyre.
Politikanët nga të dyja palët po debatojnë se si mund të përmirësojnë lidhjet. Të gjitha përpjekjet e kaluara kanë dështuar, duke përfshirë një propozim të vitit 2018 që përfshinte një shkëmbim territoresh. Kjo hasi në kundërshtime nga udhëheqësit evropianë për shkak të rreziqeve.
Pastaj është se si të dokumentohet e kaluara, si për shembull adresimi i çështjes së viktimave të zhdukura gjatë luftës që zgjati për gati 16 muaj dhe la mbi 10 mijë të vdekur, kryesisht shqiptarë etnikë.
Edhe sot e kësaj dite, liderët serbë dhe kosovarë grinden për numrin e të vdekurve, të zhvendosurve apo atyre që i janë nënshtruar dhunës seksuale. Kjo ka çuar në shkëmbime të sikletshme në ngjarjet ndërkombëtare si konferenca e sigurisë në Mynih në vitin 2019.
Por, nuk janë vetëm numrat. Mungesa e vullnetit për të bashkëpunuar për identifikimin e viktimave e ka bërë të pamundur mbylljen e shumë familjeve të lënduara nga lufta, duke nxitur pakënaqësi të mëtejshme. Ekspertët ende po përpiqen të korrigjojnë gabimet e bëra kur u mblodhën provat dhe u identifikuan viktimat.
“Ne ende po merremi me pasojat e kësaj,” tha Lars-Gunnar Wigemark, kreu i Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë. “Tani është thelbësore që në Ukrainë provat të mblidhen siç duhet. Ky është një provë e madhe për Ukrainën, në krye të një lufte.”
Lidershipi në Kosovë dhe Serbi janë nën presion të shtuar nga Uashingtoni në Bruksel për të përmbushur premtimet e tyre për t’u pajtuar pas betonimit të pushtetit të tyre. Kurti fitoi 50% të votave në zgjedhjet e fundit, ndërsa partia e Vuçiqit mori gati 60% të votave në Serbi.
Por mandatet e tyre u kanë mundësuar gjithashtu të rrisin retorikën kundër njëri-tjetrit dhe të heshtin opozitën, duke e bërë më të vështirë bashkëjetesën në terren.
“Nëse doni komentin tim cinik, duket sikur kemi Vuçiçin, i cili dëshiron të jetë Putini i vockël, dhe kemi Kurtin, i cili dëshiron të jetë Zelenskiy i vockël dhe kemi Perëndimin që po përpiqet të kryejë unitetin transatlantik të viteve 1990.”, tha Ylber Hysa, një ish-diplomat i Kosovës tani i kthyer në Prishtinë.
Përkundër dallimeve të pazgjidhura midis armiqve të kohës së luftës, komuniteti ndërkombëtar perëndimor ka mbështetur në masë të madhe shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës nga Serbia në vitin 2008. Ofrimi i ndihmës diplomatike, financiare dhe sigurisë nëpërmjet forcës së NATO-s ka qenë kyç për përparimin e Kosovës dhe këta elementë mund të të jenë një shembull edhe për Ukrainën.
Kryeministri Kurti në një intervistë të 24 gushtit tha se mendon se mund të arrijë marrëveshje me Serbinë gjatë mandatit të tij në pushtet. Ai gjithashtu beson se zhvillimi ekonomik është ajo që “do të integrojë të gjithë qytetarët”, por nuk specifikoi ndonjë shtysë investimi për veriun më pak të zhvilluar.
Premtimi zgjedhor i Kurtit ishte çrrënjosja e korrupsionit, një fenomen që ka pllakosur edhe Evropën Lindore për dekada. Ai arriti të përmirësojë renditjen e Transparency International të Kosovës vitin e kaluar, duke u zhvendosur në vendin e 87-të në Indeksin e saj të Perceptimit të Korrupsionit nga vendi i 104-të në vitin 2020.
Por ajo që shqetësoi qytetarët e intervistuar muajin (gusht) e kaluar në të dyja anët e ndarjes etnike në Kosovë ishte trashëgimia e konfliktit për gjeneratën e ardhshme në një vend me popullsinë më të re në Evropë. Ata përmendën mungesën e plotë të ndërveprimit mes të rinjve që janë rritur të ndarë nga gjuha, territori dhe një interpretim i historisë të përcjellë nga të moshuarit e tyre.
“Njerëzit e moshuar po u tregojnë histori të konfliktit dhe kjo krijon urrejtje,” tha Petroniq. “Atyre iu tregua një pjesë e historisë. Pati disa përpjekje për të pajtuar njerëzit, por nuk ndodhi.”
Ky shkrim i Bloomberg, është përkthyer në gjuhën shqipe nga Portali Dukagjni.