Zjarre të përhapura me shpejtësi nga erërat e forta dogjën të shtunën një sipërfaqe të madhe toke në Long Island të Nju Jorkut, duke lëshuar shtëllunga të dendura tymi në qiell dhe duke shkaktuar evakuimin e një baze ushtarake dhe mbylljen e një autostrade kryesore.
Guvernatorja Kathy Hochul shpalli gjendjen e jashtëzakonshme dhe tha se agjencitë lokale po marrin masa për të vënë nën kontroll zjarret rreth zonës pyjore Pine Barrens. Ajo tha se shtëpitë, një fabrikë kimike dhe një magazinë e kompanisë Amazon ishin në rrezik dhe mund të nevojiten evakuime të mëtjeshme.
“Situata është ende jashtë kontrollit në këtë moment,” i tha Guvernatorja Hochul stacionit televiziv Long Island News 12. “Po shohim që njerëzit duhet të evakuohen nga zona Westhampton.”
Zyrtarët thanë se tre nga katër zjarret u vunë plotësisht nën kontroll, ndërsa zjarri në Westhampton është 50% nën kontroll. Dy ndërtesa tregtare u dogjën pjesërisht, por zyrtarët thanë se shtëpitë nuk ishin në trajektoren e zjarrit. Një zjarrfikës u dërgua në spital për t’u trajtuar për djegie në fytyrë.
“Problemi ynë më i madh është era,” tha drejtuesi i Qarkut Suffolk, Ed Romaine. “Ajo po e përhap zjarrin.”
Videot e postuara në mediat sociale tregonin flakë të larta dhe shtëllunga tymi të zi.
Helikopterët e Gardës Ajrore Kombëtare hodhën ujë mbi flakët. Qyteti Southampton nxorri një paralajmërim pasdite kundër ndezjes së zjarreve për shkak të rrezikut./VOA