Dy viktima dhe dëme të mëdha materiale u shkaktuan nga vërshimet e ditës së shtunë në Pejë.
Nënë e bir humbën jetën tragjikisht nga shiu i madh, ata u varrosën të hënën.
Shiu i madh në Pejë ka lënë shumë dëme të mëdha materiale edhe në prona publike dhe ato private.
Familjet dhe bizneset e përmbytura nga uji janë në gjendje të rëndë.
Lagjja më e prekur nga reshjet e mëdha të shiut në këtë komunë ka qenë “Asllan Qeshma”, në të cilën u dëmtuan shumë shtëpi e biznese.
Banorët dhe bizneset e kësaj lagjeje, të prekura nga vërshimet, po kërkojnë nga organet përgjegjëse që sa më shpejt të ndërmarrin hapa në këtë drejtim dhe t’u dalin në ndihmë.
Valentina Dreshaj Hajrizi, pronare e një biznesi thotë për KosovaPress se dëmet janë shumë të mëdha, pasi kanë qenë të furnizuar me mall për festën e Kurban Bajramit.
Velentina po kërkon ndihmën e institucioneve përgjegjëse, pasi nuk i ka shpëtuar asgjë nga malli.
Ajo shton se dëmet janë shumë të mëdha, por ende nuk e dinë vlerën.
“Dëmet i kemi shumë të mëdha, por ende nuk mundemi me ditë vlerën, sepse jemi furnizuar për Bajram. Për sot ende nuk është ardhur askush (prej institucioneve)…Dje kanë qenë nga komuna dhe ministritë…Kanë premtuar, por tash po presim… Ky është biznes që mbajmë familjen me të, dhe ne presim ndihmë, që sa më shpejt institucionet të ndërmarrin diçka…sepse asgjë nuk ka shpëtuar”, thotë Hajrizi.
Se vërshimet kanë shkaktuar dëme të mëdha edhe në shtëpi, e thonë edhe banorët e tjerë të kësaj lagjeje.
Banori Niman Kurtaj shprehet i zhgënjyer nga institucionet e shtetit që deri më tani nuk i kanë vizituar për t’iu ofruar ndihmë.
Mes të tjerash, Kurtaj thotë se janë detyruar të qëndrojnë te disa të afërm, pasi sipas tij shtëpia është e pabanueshme momentalisht.
Kurtaj thotë se deri më tani, vlera e dëmeve ka kapur vlerën mbi 60 mijë euro.
“Përmbi 60 mijë euro janë dëme, kam ble çdo gjë nga Gjermani, vetëm sistemi i ngrohjes që është dëmtuar është më së paku 25 mijë euro…Qysh e kam bërë hesap vlerën e kap 60 mijë euro…As nuk ka qenë askush me pyet a jemi gjallë, a jeni mbytë. Me pompa e gjenerator unë jam prej dje tu nxjerr ujë. Uji më ka hy deri në dhomë të pritjes…Kërkojmë ndihmë, ku du mi marrë unë 60 mijë euro t’i blej këto gjëra”, thotë ai.
Sipas tij, çdo gjë që ka qenë në katin e poshtëm të shtëpisë është dëmtuar nga reshjet e mëdha të shiut.
“Gruaja është shku tek të afërmit…As s’kemi rrymë, as asgjë, të gjitha janë të dëmtuara (shtëpia është e pabanueshme)…Edhe dy muaj këtu s’mundet të hy askush, të gjitha janë të dëmtuara, pa i rregulluar të gjitha, nuk kemi si të banojmë”, thotë mes të tjerash Kurtaj.
Edhe banori Muhamet Ahma, derisa tregon për dëmet e shkaktuara, uron që kjo situatë të mos i ndodhë askujt më.
“Kanë qenë për vizitë këta të komunës, FSK ka qenë njëherë për ndihmë. Dëme ka nga frigoriferi e çdo gjë pothuajse që ka qenë në podrum…Komuna premton çdokujt se do t’i ndihmojë, por sa ka me qenë nuk jemi në dijeni…Është e paparashikueshme me pa një ujë të madh si ka ndodhur këtu, por mos e përjetoftë askush këtë që kemi përjetuar ne”, thotë Ahma.
Një grua 26-vjeçare dhe djali i saj pesë vjeç vdiqën tragjikisht si pasojë e vërshimeve më 24 qershor.
Komuna e Pejës në nderime të viktimave ka shpallur ditën e hënë ditë zie. Ku me këtë vendim, të gjitha angazhimet institucionale të parapara për këtë ditë u pezulluan./KP