Pas 25 vjetëve nga ndërhyrja e NATO-s për të ndaluar spastrimin etnik në Kosovë, gjenerali Wesley Clark ka thënë se është krenar për popullin e Kosovës dhe për përparimet e arritura gjatë kësaj periudhe.
Clark ka theksuar se Kosova, një shtet i ri, ka përpara një të ardhme të ndritshme.
Teksa ka komentuar deklaratën e ambasadorit amerikan në Serbi, Christopher Hill, se aktualisht Serbia është më afër NATO-s sesa Kosova, gjenerali Clark ka shprehur bindjen se Kosova është shumë më afër NATO-s dhe SHBA-së sesa Serbia.
“Çfarëdo që thotë ambasadori Hill, unë duhet ta shoh nga perspektiva e tij, përvoja e tij, por kur e shoh nga jashtë mua më duket se përderisa personeli i KROR-it është në Kosovë dhe me miqësinë historike midis shteteve të bashkuara dhe Kosovës, Kosova është shumë më afër me NATO-n dhe me Shtetet e Bashkuara”, ka thënë Clark.
Ndërkohë i pyetur se cili ishte momenti më i vështirë i vendimmarrjes gjatë fushatës së bombardimeve, Clark ka thënë se moment shumë i vështirë ishte kur rusët vendosën që të merrnin fushën ajrore të Prishtinës duke penguar operacionet e NATO-s dhe për të përçarë Kosovën.
Megjithatë, ai vlerëson që vendimi i bërë nga aleatët për të mbajtur të qëndrueshëm mbështetjen ndaj Kosovës ishte kthyer në të mirë të së ardhmes.
“Ky ishte moment shumë i vështirë sepse liderët politik të aleancës nuk ishin krejtë të sigurt mbi statusin, qëllimet e të gjitha këto, por që ia dolëm edhe në këtë drejtim pjesërisht, sepse aleatët, Bullgaria, Rumania bllokuan fluturimet mbi hapësirat e tyre ajrore për përforcimet ruse, pra trupat ruse nuk merrnin mbështetje nga forcat e tjera dhe për pak ditë ose javë u zgjodh edhe ajo situatë, por që ishte periudhë e vështirë”, ka deklaruar ai për RTK-në.
Në lidhje me situatën aktuale në Ukrainë, gjenerali Clark ka thënë se është një situatë e rrezikshme duke shtuar se kjo situatë është krijuar nga presidenti rus, Vladimir Putin.
Ai teksa ka komentuar edhe deklaratat kërcënuese të presidentit serb Aleksandër Vuçiq për Kosovën, duke theksuar se prania e forcave të NATO-s siguron që mos të ketë keqkuptime në lidhje me pavarësinë e Kosovës.
Gjithashtu, gjenerali Clark për sulmin në Banjskë ka theksuar se trupat e KFOR-it dhe bashkësia ndërkombëtare duhet të jenë më shumë vigjilent dhe më të drejtpërdrejtë me Serbinë se kjo nuk duhet të ndodhë më.
Sipas tij, ajo se çka po ndodhë në Serbi është reflektim i Ukrainës.