Të mërkurën e shtatë korrikut, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari ka udhëtuar për në Garmisch të Gjermanisë me ftesë të Shefit të Shtabit të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjeneral James Mcconville, për të marrë pjesë në Konferencën e Ushtrive Evropiane (CEA).
Në faqen zyratre në Facebook të Forcave të Armatosura të Kosovës, është bërë e ditur se Gjenerallejtënant Bashkim Jashari është takuar me Gjeneralin James Mcconville.
Gjenerali Jashari e ka falënderuar Gjeneralin Mcconville, dhe ushtrinë e ShBA-ve, për përkrahjen e vazhdueshme ndaj shtetit të Kosovës dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës.
“FSK-ja vazhdon të zhvillohet duke u bazuar në doktrinë, stërvitje dhe me pajisje amerikane, që lehtëson ndërveprueshmërinë mes dy ushtrive dhe trajnimet e përbashkëta”, thuhet në njoftimin e FSK-së në Facebook.
Po ashtu, në njoftim thuhet se Gjenerali Jashari dhe Gjenerali Mcconville janë pajtuar për rritjen dhe fuqizimin e bashkëpunimit mes dy ushtrive.