Republika Federale e Gjermanisë i ka dhuruar automjete ushtarake Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) të enjten me vlerë 3 milionë euro. Ceremonia u zhvillua në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, ndërsa FSK-ja pranoi pesë kamionë, ndërsa 10 të tjerë do t’i blejë me mjetet e veta.
Në këtë ceremoni të pranim-dorëzimit të donacionit nga Gjermania, kanë marrë pjesë ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, si dhe zyrtarë dhe oficerë të lartë vendorë dhe ndërkombëtarë.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, e ka cilësuar këtë donacion si mundësi për ngritjen e kapaciteteve logjistike dhe operacionale të FSK-së.
“Mbështetja me operimet ushtarake të FSK-së është vetëm njëra nga fushat ku Gjermania kontribuon ndjeshëm për sigurinë e vendit tonë”, ka thënë Maqedonci.
Ambasadori gjerman, Jorn Rohde, ka thënë se ky donacion është një hap tjetër gjerman si mbështetje ndaj Kosovës.
“Kjo është një ndihmë për logjistikën në fushën e transportit në përgjithësi. FSK ka patur 10 kamionë dhe tashmë i kemi 15 kamionë”, ka deklaruar ambasadori.
Ky donacion ka ardhur në kuadër të investimit gjerman të vitit të kaluar prej 3 milionë e 800 mijë euro.