Gjermania i kërkon Zvicrës t’ia shesë tanket Leopard 2

Tanket Leopard të ekspozuara në Gjermani

Gjermania i ka kërkuar Zvicrës që t’ia shesë asaj disa nga tanket e veta Leopard 2, tha qeveria zvicerane në 3 mars, përmes një marrëveshjeje që mund ta lejojë Gjermaninë dhe vendet e tjera të rrisin ndihmën ushtarake për Ukrainën.

Gjermania kërkon që Zvicra të shesë disa nga tanket te prodhuesi origjinal i tyre, Rheinmetall, i cili do t’i lejonte kompanisë të mbështesë zbrazëtitë e krijuara në Bashkimin Evropian dhe tek anëtarët e NATO-s.

Gjermania, Polonia, Portugalia, Finlanda dhe Suedia janë ndër vendet që po dërgojnë tanke Leopard për të ndihmuar Ukrainën të mbrohet kundër pushtimit rus, duke krijuar boshllëqe në arsenalet e tyre.

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius dhe ministri i Ekonomisë, Robert Habeck, informuan ministren zvicerane të Mbrojtjes, Viola Amherd, për projektin, përmes një letre të dërguar më 23 shkurt.

Politikanët gjermanë i kërkuan homologes së tyre zvicerane që të pajtohej me shitjen, me garancinë që tanket zvicerane nuk do të transferoheshin në Ukrainë.

“Nuk do të kishte asnjë transferim të mëtejmë të tankeve në Ukrainë”, ka thënë për agjencinë e lajmeve Reuters, një zyrtar i Ministrisë së Mbrojtjes së Zvicrës.

Sipas ligjeve të saj të neutralitetit dhe një embargoje të veçantë për armët, Zvicra e ka të ndaluar të dërgojë armë direkt në Ukrainë.

Ministrja zvicerane e Mbrojtjes, Viola Amherd, u përgjigj përmes një letre më 1 mars se një shitje e mundshme e një pjese të flotës së tankeve zvicerane do të kërkonte që Parlamenti zviceran të deklaronte zyrtarisht se tanket janë jashtë shërbimit.

“Diskutimet për këtë çështje aktualisht janë duke u zhvilluar në Parlament”, ka shtuar zyrtari i Ministrisë.

Ushtria zvicerane aktualisht ka 134 tanke Leopard 2 në shërbim dhe një 96 të magazinuara. Qeveria nuk bëri të ditur numrin e tankeve që Gjermania ka kërkuar t’i blejë, por zyrtari zviceran ka thënë se një gjë e tillë mund të bëhej me një numër të kufizuar të tankeve.

Asnjë informacion nuk është dhënë se kur Parlamenti zviceran mund të vendosë për këtë çështje, megjithëse Qeveria tha se do të komentojë më tej këtë çështje të hënën, më 5 mars.

Zvicra më parë ka bllokuar kërkesat e Gjermanisë, Spanjës dhe Danimarkës për të lejuar rieksportimin e municioneve të prodhuara në Zvicër, në Ukrainë.

Por çështja po bëhet gjithnjë e më përçarëse në Zvicër, ku duket se Ukraina ka mbështetje të gjerë në publik dhe politikë, duke bërë që të shtohet presioni ndaj Qeverisë për t’i dhënë fund ndalimit të eksporteve të armëve zvicerane në zonat e luftës.

Thirrjet nga fqinjët evropianë për Zvicrën për të lejuar transferime të tilla në Kiev janë shtuar, dhe dy komitetet e sigurisë së Parlamentit kanë rekomanduar që rregullat të lehtësohen.

Shija e redaktorit

Ushtria amerikane numër 1 në botë, FSK e fundit në...

Kosova është me fat, sepse miku më i madh i saj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten bindshëm larg fuqia më e madhe ushtarake...

Shtëpia botuese “Dukagjini” nesër promovon librin “Aneta: një epos heroinash”...

Për të gjithë ju, dashamirë të librit, ju njoftojmë që shtëpia botuese “Dukagjini, më datë 21 shkurt, ditën e premte, në orën 18:00, në...

Rama uron Kurtin me rastin e 17-vjetorit të shpalljes së...

Kryeministri i Republikë së Kosovës, Albin Kurti ka pranuar urime nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama me rastin e 17-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë...

Të fundit nga rubrika