Gjermania është duke shtetëzuar importuesin e saj më të madh të gazit natyror, Uniper, si pjesë e një plani prej 8 miliardë eurosh për të parandaluar mungesën e energjisë këtë dimër.
Së fundmi, Evropa është goditur nga rritja e çmimeve të gazit natyror dhe energjisë elektrike si rezultat i pushtimit rus të Ukrainës.
Ministri gjerman i Ekonomisë, Robert Habeck ka thënë se qeveria gjermane do të mbajë rreth 99 për qind të Uniper-it dhe 8 për qind të kompanisë së saj mëmë finlandeze “Fortum” (FOJCF).
Uniper si importuesi kryesor i gazit natyror në Gjermani siguron 40 për qind të furnizimit me gaz të vendit dhe është vendimtar për kompanitë e mëdha, raporton CNN.
Në korrik të këtij viti, kancelari gjerman, Olaf Scholz ka njoftuar se qeveria do të ndërhynte për të shpëtuar Uniper-in me një paketë me vlerë deri në 15 miliardë euro. Ndërsa, sipas marrëveshjes së shpëtimit, qeveria është zotuar të sigurojë 7.7 miliardë euro për të mbuluar humbjet e mundshme në të ardhmen.