Janë gjetur mbetje mortore të tre personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë. Për këtë, ka reaguar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e cila ka thënë se “Pas pranimit të rezultateve të ADN, trupat do t’iu dorezohen familjarëve”.
Ajo e ka falënderuar ekipin për angazhimin e tyre, dhe se ka thënë se “Nuk do të ndalemi deri sa të zbardhet fati i të gjithë personave të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë”.
Ndryshe, Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, ka bërë të ditur se janë gjetur mbetjet mortore të tre personave, të cilët dyshohen të jenë viktima të luftës së fundit në Kosovë.
Gara bëri të ditur se mbetjet mortore u gjetën pas gërmimeve në fshatin Vidimriq të Mitrovicës.
Të dhënat e mëtutjeshme sipas Garës, do të saktësohen pasi të përfundojmë ekzaminimet e nevojshme mjekoligjore përfshirë analizën e ADN-së.