Gjimnazi “Hivzi Sylejmani” në Fushë Kosovë i është kthyer normalitetit pas tre javë grevë, nxënësit i janë rikthyer përsëri mësimit, e për këtë, nuk ka munguar gëzimi tek nxënësit.
“Jemi shumë të lumtur që ka filluar mësimi dhe që greva ka përfunduar”, ka deklaruar Elma Kastrati – Nxënëse.
“Greva ka zgjatur shumë dhe është bërë mirë që ne i jemi rikthyer përsëri shkollës”, ka thënë Viola Zymeri – Nxënëse.
Vendimin, drejtori i gjimnazit, Amir Pllana ka treguar se e morën pasi nuk besojnë se greva do t’ua përmbushë kërkesat.
“Nuk e shohim grevën si mjet të zgjidhjes së kërkesave të mësimdhënësve, bile tash për kohën është e demoduar krejt. Duhet të gjinden metoda të tjera, instrumente të tjera që të bëhet presion tek zyrtarët qeveritar për rritjen e pagave dhe statusin e mësimdhënësit… 2020-2021 ka qenë pandemi komplet, kemi punuar me grupe të vogla e të tjera, nuk i kemi përmbushur të gjitha objektivat, edhe kjo greva tash ka qenë kapaku i së keqes”, ka rrëfyer Amir Pllana – Drejtor i gjimnazit “Hivzi Sylejmani”.
E drejtori i Arsimit në Fushë Kosovë, Sami Shahini, shpreson që drejtori Pllana dhe drejtuesit e tjerë të gjimnazit të qytetit, të mos i jenë nënshtruar presionit të Qeverisë.
“Uroj të mos ketë pasur presion as nga ana e ministrisë, sepse e dini edhe në të kaluarën, por edhe në ditët e fundit ka një presion të jashtëzakonshëm duke bërë ftesë të hapur edhe vet ministrja Nagavci që mësimdhënësit ta thejnë grevën dhe t’i rikthehen procesit mësimor, deri sa ligji mbi grevat ua garanton atyre pavarësinë që të vendosin të vetëm se si e shohin ata”, ka sqaruar Sami Shahini – Drejtor i Arsimit në Fushë Kosovë.
Shahini ka treguar se të gjitha shkollat e tjera në Fushë Kosovë po vazhdojnë ta respektojnë grevën.
Megjithatë, sikur gjimnazi në Fushë Kosovë kanë vepruar edhe disa shkolla të tjera gjithandej vendit.
Drejtuesit e tyre, kryetari i këshillit Grevist, Reshit Kushaj, i ka konsideruars si të afërt me qeverinë.
“Ne nuk kemi shkolla të shumta siç po thuhet se punojnë. Kemi disa mësimdhënës dhe mësuese të cilët kanë filluar punën, e të cilët janë shumë të afërt me njerëz brenda përbrenda qeveriritarëve… Çdo ditë kemi shpresa dhe jemi në pritje të marrëveshjeve, kjo po presim të ndodhë sa më shpejtë sepse është grevë e cila po ua kalon të gjitha grevave që i kemi organizuar deri më tani”, ka potencuar Reshit Kushaj – Këshilli Grevist.
Greva në sistemin arsimor tashmë ka hyrë në javën e katërt, duke u bërë greva e cila ka zgjatur më së shumti ndonjëherë.