Gjithçka nga atentati ndaj Kurtit, flasin palët që ishin cak

Pas raportimit se ekzistonte një plan për atentat ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në vitin 2021, një gjë të tillë nuk hezitoi ta konfirmonte Qeveria. Pjesë e atentatit të vitit 2021 ishte planifikuar të ishin edhe deputeti Xhavit Haliti dhe ish-pjesëtari i UÇK-së, Ismet Haxha. Por, nuk është kjo hera e parë që ndaj një kryeministri të Kosovës planifikohet një rast atentati. Edhe ndaj ish-kryeminsitrit Isa Mustafa kishte përgatitje të tilla

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deputeti Xhavit Haliti, dhe ish-pjesëtari i UÇK-së, Ismet Haxha





Të hënën e 19 shtatorit, u raportua se ka ekzistuar një plan për vrasjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe deputetit të PDK-së, Xhavit Haliti.

Sipas mediumit shqiptar A2news, kjo është bërë e ditur nga një dokument i cili është bërë publik të hënën nga disa hakerë, të cilët dyshohet se këto dokumente i kanë marrë nga e-maili i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit në vitin 2021, Gledis Nano.

“Në vitin 2021, Njësia Kundër Terrorizmit në Kosovë ka zbuluar një plan për të vrarë kryeministrin Albin Kurti dhe dy persona të tjerë nga një shtetas nga Shqipëria. Të paktën, kështu rezulton në një dokument të bërë publik këtë të hënë, nga hakerët, i cili dyshohet se është marrë nga e-maili i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit në vitin 2021, Gledis Nano”.

“Në dokument theksohet se Njësia Kundër Terrorizmit në Kosovë ka marrë informacione për atentat ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, Ismet Haxhës, ish-anëtar i Shërbimit Informativ të Kosovës dhe i afërm i Kadri Veselit, dhe ndaj Xhavit Halitit, anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës dhe ish-deputet”, thuhet në raportimin e A2news.

I dyshuari, sipas A2 news, është Prek Kodra, i cili sipas raportimit të këtij mediumi, ka aftësi të mirë në përdorimin e snajperëve. Ai dyshohet se është përfshirë në disa vrasje të tjera në Kosovë e Mal të Zi.

“I dyshuari është Prek Kodra, shtetas shqiptar. Në dokument theksohet se ai ka aftësi të mira në përdorimin e snajperëve. Ai dyshohet se është përfshirë në disa vrasje në Kosovë dhe Mal të Zi. Ndërkohë, Kodra dyshohet se jeton në Shkodër, ndërsa vepron në Tropojë, Ferizaj dhe Deçan të Kosovës”, thuhet në postimin e A2news.

Sipas Policisë Shqiptare, ky person është me precedent penal dhe është hetuar për vrasje me paramendim dhe mbajtje pa leje të armëve të gjahut. Ai u shpall në kërkim në vitin 2016, ndërsa pas kontrolleve në banesë iu gjetën dy armë gjahu dhe 90 fishekë. Në shtator të vitit të kaluar u pezullua urdhri i kërkimit, ndërsa konsiderohet si person me rrezikshmëri të lartë, raporton A2.

Sipas mediumit A2, fillimisht ishte planifikuar vrasja e Ismet Haxhës, pas një muaji, ishte planifikuar të vritej edhe Xhavit Haliti, dhe pastaj kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Sipas informacione të Njësisë Kundër Terrorizmit, objektivi i parë do të ishte Ismet Haxha. Objektivi i dytë ishte Xhavit Haliti, i cili do të vritej një muaj pas Haxhës për t’u dukur si hakmarrje. Më pas, do të vritej edhe kryeministri Albin Kurti. Sipas informacioneve, qëllimi i këtyre atentateve është destabilizimi i Kosovës. Po ashtu, në dokument theksohet se të tre atentatet do të kryheshin në 4 muajt e ardhshëm”, raporton A2.

Një kërcënim të tillë e ka pohuar edhe vetë Qeveria.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti,  ka qenë i njoftuar për këtë rast nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë”.

Kështu ka njoftuar Zyra e Kryeministrit, pas raportimit të mediumit shqiptar A2 për një plan për atentat ndaj Kryeministrit Kurti në vitin 2021.

Ndër të tjera, është thënë se institucionet e sigurisë i kanë ndërmarrë të gjitha masat për parandalimin e këtij veprimi, dhe se rasti nuk është bërë publik për të mos përhapur panik.

Edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, e ka konfirmuar lajmin se ndaj tij ishte përgatitur një atentat.

Në një përgjigje për Portalin Dukagjini, Haliti ka thënë se përkundër paralajmërimeve për rrezikun që i kanosej, Policia e Kosovës nuk i ka ofruar asnjë lloj mbrojtjeje.

“Kam qenë i lajmëruar, por policia nuk më ka ofruar asgjë”, ka thënë shkurt Haliti.

Në anën tjetër, ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ismet Haxha, emri i të cilit u përfol këtë të hënë si shënjestër e një atentati, ka thënë për Rtv Dukagjinin se Policia e Kosovës e kishte njoftuar për planifikimin e vrasjes së tij në fund të vitit të kaluar.

Haxha ka thënë se nuk i di arsyet e planifikimit për vrasjen e tij. Ai ka bërë të ditur se gjatë kësaj kohe nuk ka pasur mbrojtje të afërt, por vetëm vëzhgime të shtuara të policisë.

Ai është shprehur se nuk ka informacione se kush e ka planifikuar vrasjen e tij.

“Informacionin për planifikimin e vrasjes e kam marrë në fund të viti të kaluar. Më ka informuar policia. Informata ka qenë se Njësia antiterrorizmit kanë informata se po përgatitet një atentat ndaj meje. Arsyen e kësaj nuk e di, unë kam qenë pjesëtar i luftës. -Nuk kam pasur mbrojtje të afërt, por kam pas vëzhgime të shtuara të policisë. Nuk di kush e ka planfikuar vrasjen, por informacioni ka qenë se ka qenë duke u planifikuar vrasja”, ka thënë Haxha.

Megjithatë, nuk është kjo hera e parë që ndaj një kryeministri të Kosovës përgatitet një rast atentati.

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në një prononcim të shkurtër për Portali Dukagjini, e ka konfirmuar se gjatë kohës kur ai ishte kreu i ekzekutivit, edhe për të ka pasur planifikime për atentat.

Ai ka theksuar se disa herë ka qenë cak i sulmeve siç thotë ai nga “militantët e Vetëvendosjes”.

Mustafa, teksa ka renditur rastet me të cilat në atë kohë ishte përballur si kryeministër, ka potencuar se njëra nga to ishte sulm me bomb molotovi.

“Ka pasur edhe veprime për atentat siç është gjuajtja e shtëpisë sime me bomba molotov nga VV, tentimi të gjuhet makina ime zyrtare nga militantët e VV-së me iriq të hekurt, gjuajtja me gurë e makinës sime, por duke e qëlluar makinën e përcjelljes policore në një natë në kthim nga Suhareka”, ka thënë Mustafa.

Megjithatë, ish-kryeministri Mustafa ka sqaruar se për të gjitha këto ishin në dijeni organet e rendit.

Ai ka sqaruar arsyen e mospublikimit të lajmit.

“Ne kemi qenë atë ditë të informuar se po përgatiten një rast atentati, organet e kanë kryer punën e vet. Ne nuk kemi dalë në publik me informata për arsye se kanë qenë udhëzimet e organeve që të ruhet procesi”, shtoi Mustafa.

Ndërkohë, njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami, ka thënë se atentati ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe dy të tjerëve, do t’i konventonte vetëm Serbisë.

Në një lidhje direkte në emisionin “Five”, në RTV Dukagjini, Islami ka theksuar se një vrasje e tillë siç do të ishte ajo e kryeministrit të vendit, nuk do t’i konvenonte as politikës së Shqipërisë e as Kosovës.

Kjo, për shkak se, siç thotë Islami do të çonte në destablizim të vendit.

“Lajmi është bombastik dhe koha është e shkurtër dhe unë nga prizmi im mund të them se kjo do t’i konventonte vetëm armikut tonë Serbisë, jo sepse dua t’ia atribuoj atë, sepse mund të mos jetë kështu, por politikës shqiptare të Kosovës dhe Shqipërisë nuk do t’i konventonte vrasja e tillë, sepse do të bëhej një destabilizim i vendit dhe qëllimi është ky, që të bëhet një hakmarrje në mes shqiptarëve të Kosovës”, është shprehur Islami.

Megjithatë, ajo se çfarë ka rëndësi sipas Islamit është se planifikimi i vrasjes ka dështuar.

“Ë rëndësishme është që planifikimi i vrasjes ka dështuar për shkak të angazhimit të institucioneve intelegjente, qoftë të Shqipërisë, qoftë të Kosovës”, shtoi ai.

Po ashtu, ai ka theksuar se e rëndësishme është që strukturat e shtetit kanë gjurmuar dhe kanë hetuar në këtë drejtim.

Ndërkaq, Islami ka folur edhe për vonesën e publikimit të lajmit.

Ai ka thënë se ngjarja e ndodhur pothuajse një vit më parë, tashmë e ka humbur fuqinë e asaj kohe kur ka pasur tendenca për planifikim të vrasjeve, të Kurtit dhe dy të tjerëve.

“Pyetja shtrohet pse bash në këtë kohë plasohen lajmet e tilla ku rëndësia e atij lajmi tashmë veçse ka humbur fuqinë e vet. Madje është dashur që kjo pas një kohe të gjatë të dilet në opinion”, ka thënë Islami.

Ndërkaq, ish-inspektori i përgjithshëm i AKI-së, Shkëlzen Sopjani, ka deklaruar se ndaj të dyshuarit (Prek Kodra), nuk është ndërmarrë asgjë. Madje ai ka thënë se gjatë bastisjes, të njëjtit i është gjetur një pushkë gjuetie dhe disa fishekë, por jo edhe snajper.

“Sa i përket informacionit, me vetë faktin që nuk ka pasur veprime pas informacionit, ai personi për të cilin është folur sot që ka pasur ta kryejë atentatin nuk është se ka ndonjë profil të lartë dhe me potencial që ka mundur ta kryejë këtë atentat, sidoqoftë, ndaj tij nuk është ndërmarrë ndonjë veprim. Ai është në liri, nuk është person që është në paraburgim”, ka thënë Sopjani.

“Atij kurrë nuk i është gjetur snajper se i është bërë bastisje në një kohë, se ky informacion nuk është i ri, kjo ngjarje ka ndodhur një vit më parë. Atij personi i është gjetur një pushkë e gjuetisë me disa fishekë, dhe jo snajper”, shtoi Sopjani.

Ai ka theksuar se pas rastit në fjalë, kryeministri Kurti i kishte rritur masat e sigurisë.

Sopjani ka potencuar se “rasti nuk është se ka pasur diçka shumë konkrete, ka qenë në nivel të informacionit sipas të gjitha gjasave intelgjent, me vetë faktin se nuk janë marrë veprime nga organet ligjzbatuese”.

Megjithatë, ai ka thënë se kur është në pyetje kryeministri i shtetit sigurisht që duhet të shtohen masat e sigurisë.

Sipas tij, ky rast është trajtuar seriozisht deri në nivelin sa është mundur të trajtohet seriozisht nga organet.





Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika