Janë plagosur dy persona, njëri 11-vjeç e tjetri rreth 21, mbrëmjen e së premtes, në Shtërpcë, nga një i dyshuar kosovar.
Ky është informacioni i parë i komunikuar nga Policia e Kosovës, e cila më tej, bëri të ditur se dy të plagosurit kanë pranuar tretman mjekësor, pasi janë dërguar me autoambulancë në Graçanicë.
“Sot, më 06.01.2023 rreth orës 15:19, policia (Stacioni Policor Shtërpcë) ka pranuar një informatë se në fshatin Drajkovc të Shtërpcës, dy persona, njëri rreth 11-vjeçar dhe tjetri rreth 31-vjeçar janë plagosur nga arma e zjarrit nga personi/persona të panjohur, i cili/të cilët, ishin me një automjet të udhëtarëve në lëvizje, që po qarkullonte nga Shtërpca në drejtim të Ferizajt, dhe më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes. Dy të lënduarit për ndihmë mjekësore janë dërguar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Shtërpcë dhe pas marrjes së ndihmës së parë në Shtërpcë, për tretman të mëtutjeshme mjekësor janë dërguar me autoambulancë për në Graçanicë. Të dy të plagosurit, nga informacionet që kemi, janë jashtë rrezikut për jetë”, thuhet në komunikatë.
Më vonë të premten, PK njoftoi se ishte arrestuar i dyshuari për plagosjen, dhe se ai gjendej në Policinë Rajonale të Ferizajt. Arma e të dyshuarit ishte konfiskuar dhe njëherit, edhe vetura.
Ndonëse reagime të shumta nuk munguan nga krerët e shtetit, njëri që përveç keqardhjes dha edhe një lajm, ishte ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.
Ai bëri të ditur se i përfshirë ishte edhe një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ai, sipas Mehaj, do të trajtohet sipas rregulloreve dhe ligjeve që janë në fuqi në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë.
‘”Të dashur qytetarë, tani u njoftova se në rastin që ka ndodhur në Shtërpcë është përfshirë një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës. Me rastin janë duke u marrë organet e sigurisë dhe drejtësisë. I njëjti do ta trajtohet edhe sipas rregulloreve dhe ligjeve që kemi në fuqi në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë. Shpreh keqardhjen më të thellë për atë që ka ndodhur në Shtërpcë. Të plagosurve, u uroj shërim sa më të shpejtë. Raste si kjo janë të izoluara, por si të tilla nuk guxojnë të ndodhin”, ka deklaruar Mehaj.
Vendosja e barrikadës në Shtërpcë
Si gjithherë, ekipi i gazetarëve të RTV Dukagjiini ka raportuar direkt nga vendi i ngjarjes, duke bërë të ditur se serbët kanë vendosur një barrikadë në rrugën që të dërgon në drejtim të Shtërpcës.
Kjo barrikadë erdhi si revoltë ndaj plagosjes së dy të rinjve serbë.
Gjithashtu edhe Policia e Kosovës ka bërë të ditur se rruga që të dërgon për në Shtërpcë, është e bllokuar nga të dyja drejtimet e lëvizjes.
E njëjta u largua pas orës 22:00, mbrëmjen e së premtes.
Reagime
Një reagim nga e para e vendit nuk u kursye për opinionin publik.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, ka thënë se një akt i tillë duhet vënë para drejtësisë.
“Plagosja e të rinjve 11 dhe 21-vjeçar në Shtërpcë, është akt i patolerueshëm, ndaj autori duhet të vihet para drejtësisë. Institucionet e Kosovës janë të përkushtuara maksimalisht që qytetarëve pa dallim etnie, t’u ofrohet ambient i sigurt dhe i qetë. Të plagosurve u dëshiroj shërim të shpejtë, ndërkaq ftoj organet e sigurisë që rastin ta trajtojnë urgjentisht e sipas ligjit”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidentes.
Gjithashtu, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dënuar sulmin ndaj dy qytetarëve të Kosovës në komunën e Shtërpcës.
Kurti tha se ndjehet thellësisht i brengosur për plagosjen e tyre.
“E dënoj ashpër sulmin ndaj dy qytetarëve të Kosovës në Shtërpcë. Thellësisht i brengosur për plagosjen e tyre. Sipas informatave, të rinjtë 11 dhe 21-vjeçar janë jashtë rrezikut për jetë, dhe u dëshiroj shërim të shpejtë. Policia e Kosovës veçse ka arrestuar të dyshuarin, i cili pa asnjë mëdyshje duhet dhe do të përballet me organet e drejtësisë”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Njësoj deklaroi edhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla. Ai tha se sulmi ndaj 2 qytetarëve të Kosovës në Shtërpcë është i papranueshëm dhe do të dënohet në masën e plotë të ligjit.
Ai theksoi se Policia ka ndërmarrë veprime të shpejta dhe ka arrestuar autorin.
The attack on 2 Kosova Citizens in Shtërpcë is unacceptable and will be punished to the full extent of the law.🇽🇰 Police have taken swift action and arrested the perpetrator. We are committed to upholding rule of law in all parts of Kosova.
— Xhelal Sveçla (@XSvecla) January 6, 2023
Lidhur me ngjarjen, ka reaguar edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj. Ai ka bërë një apel të hapur ndaj serbëve lokalë, duke u thënë të njëjtëve që të mos bien pre e propagandës.
“Plagosja e dy të rinjve në Shtërpcë, është një akt i papranueshëm dhe i dënueshëm! Të plagosurve u uroj shërim të shpejtë. Njëkohësisht kërkoj nga organet ligjzbatuese në Kosovë, që sa më parë ta informojnë opinionin publik për rrethanat në të cilat ndodhi ngjarja, si dhe për motivet e saj. Gjithashtu, apeloj te familjarët dhe serbët lokalë që të mos bien pre e propagandës që këtij incidenti t’i japin konotacion politik! T’i japim kohë drejtësisë që t’i zbardhë rrethanat dhe motivet e kësaj ngjarjeje”, ka deklaruar ai.
Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se të gjithë serbët në festën e tyre fetare të krishlindjeve ortodokse, janë duke bërë lutje për të rinjtë që mbeten të plagosur në komunën e Shtërpcës.
“Qofshi gjallë dhe shëndoshë Stefan. Të gjithë po lutemi për ty sonte në Hilandar”, ka shkruar Vuçiq në Instagram.
Një ditë më vonë, mëngjesin e së shtunës, raporti 24-orësh i PK-së ka bërë të ditur se dy të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetë.