Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të mërkurën e tetë qershorit ka pritur në takim ministrin e Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias.
Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova dhe Greqia ndajnë të njëjtat vlera euroatlantike, ndaj ka kërkuar mbështetjen greke për anëtarësim në Këshillin e Evropës,(KiE), Partneritetin për Paqe dhe NATO, si një garanci jo vetëm për shtetin e Kosovës, por edhe për rajonin.
E para e vendit, ndër të tjera ka përmendur rrezikun nga tendencat destabilizuese të Rusisë në Kosovë, Bosnjë e Hercegovinë dhe Mal të Zi, nëpërmjet Serbisë si satelit i saj.
Një pjesë e takimit i është kushtuar zhvillimeve të krijuara pas agresionit të Rusisë në Ukrainë.
Presidentja Osmani ka përsëritur qëndrimin se Kosova është plotësisht në linjë me sanksionet e BE-së dhe ShBA-së ndaj Rusisë, duke shprehur mbështetje për popullin ukrainas.
Gjatë qëndrimit të tij në Prishtinë, Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, është takuar edhe zëvendëskryeministrin e Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi.
Në takimin zyrtar të dy delegacioneve, Dendias ka theksuar energjinë e re, pozitive dhe potencialin e Kosovës, për shkak edhe të moshës mesatare të ulët të popullsisë dhe reflektimit në politikat e Qeverisë, që mund të shërbejë si shembull edhe për Bashkimin Evropian.
Nga ana e tij, zëvendëskryeministri Bislimi ka pohuar potencialin zhvillimor të Kosovës.
E ka falënderuar shtetin e Greqisë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor, në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian.
Dendias ndër të tjera ka thënë se Ballkani Perëndimor i përket familjes evropiane dhe Greqia është e përkushtuar në ofrimin e ndihmës dhe mbështetjes ndaj rajonit.
Zëvendëskryeministri Bislimi gjithashtu e ka informuar ministrin Dendias edhe mbi dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, duke potencuar se rruga e duhur është ajo e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës(ShBA).
Sipas Bislimit, sa i përket dialogut, Kosova është dhe do të mbetet e angazhuar maksimalisht në qasje konstruktive, përmes propozimeve dhe alternativave për të ecur drejt një marrëveshjeje të përhershme dhe ligjërisht të obligueshme me Serbinë.
Gjithashtu ministri, Dendias kishte vizituar Prishtinën në tetor të vitit 2020 dhe së fundmi, në qershor të vitit të kaluar.