Gjithçka nga zgjedhjet lokale në veri gjatë vitit 2023

Veriu i Kosovës ishte vatër tensionesh edhe gjatë vitit 2023. Tensionet kanë arritur kulmin më 24 shtator, kur grupe të armatosura kanë sulmuar policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin policor, Afrim Bunjaku

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, më 25 prill të vitit që lamë pas, shpalli rezultatet për zgjedhjet lokale të 23 prillit që u mbajtën në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Sipas KQZ-së, në garën për kryetarin e ri të komunës të Leposaviqit, fitues u shpall Lulzim Hetimi nga Lëvizja Vetëvendosje me 73.5 për qind të votave të fituara.

Kjo parti fitoi garën edhe në Mitrovicë të Veriut. Kreu i ri i kësaj komune u zgjedh Erden Atiq, që kishte fituar 66.9 për qind të votave.

Dy komuna i fituan kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës. Komunën e Zveçanit e mori Ilir Peci nga kjo parti, me 59 për qind të votave të fituara. Ndërkaq, në Zubin Potok fitues u shpall Izmir Zeqiri me 52.2 për qind të votave.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarët e rinj të katër komunave veriore u bojkotuan gjerësisht nga popullata serbe atje.

Sipas të dhënave të KQZ-së, në zgjedhje dolën 1.567 votues apo 3.47 për qind e trupit zgjedhor.

Më 23 prill u mbajtën edhe zgjedhjet e parakohshme për Asambletë komunale në Leposaviq dhe Zveçan.

Në Leposaviq, Lëvizja Vetëvendosje fitoi 15 ulëse, Partia Demokratike e Kosovës dy, aq sa ka fituar edhe Partia e Serbëve të Kosovës.

Në Zveçan, 11 ulëse në Asamblenë komunale i fitoi Partia Demokratike e Kosovës, ndërkaq Lëvizja Vetëvendosje tetë.

FOTO:REL

Në zgjedhjet e 23 prillit nuk mori pjesë Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë – që deri më tani kishte udhëhequr me këto komuna. Kjo parti, që ka mbështetjen e Beogradit, bëri thirrje për bojkotin e procesit zgjedhor.

Procesi zgjedhor kaloi pa asnjë incident dhe qytetarët, përveçse në disa shkolla, votuan edhe në 13 kontejnerë të vendosur në lokacione të ndryshëm në veri.

Komuniteti ndërkombëtar ka shprehur keqardhjen për mospjesëmarrjen e partive serbe në këto zgjedhje, pasi vetëm një kandidate e pavarur serbe garoi për kreun e Zveçanit.

Sipas kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dalja e ulët në zgjedhjet e 23 prillit erdhi për shkak se “atmosfera ishte ajo e frikësimit dhe shantazhit” dhe bojkotimi i zgjedhjeve ishte imponuar nga “fushata kërcënuese e Beogradit zyrtar”.

Katër kryetarë shqiptarë u zgjedhën në krye të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Betimin si kryetar komune, përveç kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, i cili u betua në objektin e komunës, tre kryetarët tjerë, i Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, nuk u betuan në objektet e komunave, por në shkolla dhe zyre të bashkësisë komunale.

Në një komunikatë zyrtare, Policia e Kosovës tha se pesë policë u lënduan, katër vetura u dëmtuan të policisë, njëra prej të cilave u dogj. Ndërsa, sipas forcave të rendit, u dëgjuan edhe të shtëna nga arma e zjarrit.

Në mënyrë krejtësisht të pazakontë, nën përcjellje të policisë e mes tensionesh, kryetarët në Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok, pasditen e së premtes së 26 majit u futën në zyrat e punës.

Policia me njësite speciale vazhdoi qëndrimin pranë objekteve komunale edhe gjatë ditëve të tjera, të shtunën dhe të dielën. Por, e gjithë situata e tensionuar prodhoi reagime të ashpra.

Reagimet e para erdhën nga Beogradi zyrtar, ku ministri i Mbrojtjes tha se ka marrë një urdhër nga presidenti Aleksandar Vuçiq që forcat ushtarake të vihen në gjendje gatishmërie, dhe të njëjtat të vendosën në zonën administrative me Kosovën.

Intervenimin e Policisë së Kosovës e dënuan edhe Ambasadat e shteteve të fuqishme në Kosovë dhe zyra e Bashkimit Evropian, po ashtu. Madje, reagim pati edhe sekretari i shtetit të Amerikës, Antony Blinken. Të gjitha reagimet kishin një të përbashkët, kërkonin që Qeveria e Kosovës dhe kryeministri Albin Kurti t’i ndalojë veprimet dhe ta tërheqë policinë nga zonat afër komunave në veri.

Të hënën, më 29 maj, në orët e hershme të mëngjesit, qytetarë serbë ishin mbledhur sërish pranë objekteve komunale në tre komunat e veriut të vendit. Ata do të kundërshtonin sërish futjen e kryetarëve shqiptaër në objektet e komunave.

Për dallim nga dita e premte, në veri prezencën e kishte shtuar misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR.

Derisa kundërshtimi i serbëve lokalë vazhdonte në veri të vendit, ambasadorët e vendeve evropiane dhe ai i ShBA-së kishin nisur përpjekjet për ta bindur kryeministrin Kurti që veprimet përmes policisë të ndalonin dhe situata të qetësohej.

Përpjekjet e ndërkombëtarëve nuk patën sukses të hënën.

Gjatë të njëjtës ditë, përplasje mes protestuesve, që Policia e Kosovës i quajti grupe kriminale, dhe ushtarëve të KFOR-it, ndodhën.

Për pasojë, rreth 30 ushtarë të misionit të NATO-s u lënduan, në mesin e tyre italianë dhe hungarezë. Më vonë, tre nga ushtarët u konfirmua se ishin të plagosur nga arma e zjarrit.

Bartja e një ushtari të lënduar gjatë operacionit të intervenimit me ç'rast u dëgjuan shpërthime me gaz lotsjellës dhe shok-bomba.  

Që nga 26 maji kur nisën protestat e serbëve në veri të vendit, rreth 20 sulme ndaj punonjësve të medias u regjistruan.

Të dhënat i konfirmoi Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK).

Në situatën e krijuar, reagime erdhën nga të gjitha anët. NATO mori vendim që 700 trupa të reja të dislokohen në Kosovë.

Lirohet nga paraburgimi serbi i dyshuar për sulm ndaj gazetarëve në veri - Betimi për Drejtësi

Reagime të tjera pati nga sekretari amerikan Blinken, i cili kërkoi nga Qeveria e Kosovës që Policia e Kosovës të tërhiqet nga objektet e komunave dhe kryetarët e zgjedhur të punojnë nga lokacione te tjera, që tensionet të ulen.

Më 22 qershor, përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell,  ka paraqitur kërkesat e bllokut evropian për Kosovën dhe Serbinë, lidhur me shtensionimin e situatës në veri:

  • Kosovës iu kërkua që menjëherë t’i pezullojë operacionet policore në afërsi të ndërtesave komunale në veri dhe që katër kryetarët komunalë përkohësisht t’i ushtrojnë detyrat e tyre në objekte alternative.
  • Serbisë iu kërkua të sigurojë që protestuesit të tërhiqen nga ndërtesat komunale paralelisht me tërheqjen e Policisë së Kosovës.
  • Të dyja shteteve iu kërkua shpallja e zgjedhjeve të parakohshme lokale, sa më shpejt që të jetë e mundur në katër komunat në veri të Kosovës, me pjesëmarrjen e pakushtëzuar të serbëve të Kosovës në to.

BE-ja, e cila prej më shumë se dhjetë vjet ndërmjetëson në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përgjegjësinë për këto tensione ia ngarkoi Prishtinës dhe kërkoi shtensionimin e menjëhershëm të situatës dhe kthimin në dialog.

Bashkë me konstatimin se Qeveria e Kosovës po i injoron këto kërkesa, BE-ja vendosi masa ndëshkuese ndaj saj në fund të qershorit.

Ilustrim

Masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës përfshinin: suspendimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimin e vizitave bilaterale, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi dhe i dërguari i BE-së për dialogun mes dy vendeve, Mirosllav Lajçak, arritën një dakordim për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës, gjatë një takimi më 10 korrik në Bratisllavë.

Hapat drejt shtensionimit të situatës në veri të Kosovës

Marrëveshja ndërmjet BE-së dhe Kosovës për zbatimin e deklaratës së 3 qershorit 2023 të 27 vendeve të BE-së.

10 korrik 2023

Hapi Veprimi Koha
1 Qeveria e Kosovës deklaron publikisht gatishmërinë e saj për t’u angazhuar për shtensionimin e situatës dhe se nuk do të ndërmarrë asnjë veprim që mund të shkallëzojë situatën në veriun e Kosovës. Kjo përfshin një zvogëlim të menjëhershëm për 25% të pranisë policore në dhe rreth ndërtesave komunale. Java e parë
2 Policia e Kosovës kryen vlerësime të rregullta të sigurisë bashkë me EULEX-in, dhe me KFOR-in, sipas nevojës, për të shikuar mundësinë për zvogëlim të mëtejmë të tërë pranisë policore në dhe rreth ndërtesave komunale. Nga java e parë, në vazhdimësi
3 Qeveria e Kosovës bën një deklaratë publike, për të mbështetur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në 4 komunat nveriore, pas verës. Kosova përkushtohet të sigurojë bazën e nevojshme ligjore për të mundësuar organizimin e zgjedhjeve. Nga java e parë, zbatimi sa më parë të jetë e mundur
4 BE-ja do t’i ftojë dy kryenegociatorët në Bruksel, për finalizimin e planit të sekuencimit për Marrëveshjen drejt rrugës për normalizimin e marrëdhënieve, pas të cilit do të fillojë zbatimi i të gjitha neneve të marrëveshjes. Java e dytë

 

Më 11 korrik, Bashkimi Evropian konfirmoi se Kosova do të mbështesë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore, si pjesë e veprimeve për të shtensionuar situatën.

Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se zgjedhjet në katër komunat në veri të Kosovës nuk mund të zhvillohen pa u shtensionuar situata në atë zonë. Por, ai kishte shtuar se Kosova është duke i kryer përgatitjet për zgjedhje të parakohshme në këto katër komuna.

Qeveria reduktoi prezencën e policisë në veri dy herë radhazi, pastaj përkrahjen e zgjedhjeve të reja, ku edhe është hartuar një udhëzues për shkarkimin e 4 kryetarëve në komunat veriore përmes peticionit, si dhe një takim i nivelit të lartë në kuadër të dialogut i cili ndodhi, por nuk dha rezultate.

Qeveria e kryesuar nga kryeministri Albin Kurti, e pranoi kërkesën për zgjedhje të reja, por me kusht që kryetarët aktualë të zëvendësohen vetëm në bazë të ligjit.

Më 24 shtator, në komunën veriore të Zveçanit, përkatësisht në Banjskë, ndodhi një sulm terrorist.

Nga ky sulm mbeti i vdekur rreshteri Afrim Bunjaku, një polic u plagos dhe një tjetër u lëndua. Nga grupi i sulmuesve, 3 prej tyre, mbeten të vdekur.

Përgjegjësinë për këtë sulm e ka marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiqiq.

Pamje nga manastiri i fshatit Banjskë, 24 shtator 2023.

Autoritet në Kosovë kanë fajësuar Serbinë për këtë sulm dhe kanë kërkuar sanksionimin e saj, mirëpo një hap i tillë ende nuk është marrë nga Bashkimi Evropian, nën arsyetimin se janë duke pritur hetim.

A do të ketë zgjedhje të reja në veri të Kosovës?

Tre muaj pas miratimit të Udhëzimit Administrativ për largimin e kryetarëve të komunave, pjesëtarët e komunitetit serb në veri të Kosovës vendosën të ndërmarrin një iniciativë në atë drejtim.

Udhëzimi Administrativ u nxor në fillim të shtatorit nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal e Kosovës, me qëllim për t’i hapur rrugë shpalljes së zgjedhjeve lokale në katër komunat me shumicë serbe në veri: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Më 5 dhjetor, një grup qytetarësh u përpoq të ndërmerrte një iniciativë për zëvendësimin e kryetarëve aktualë të komunave në veri, por më vonë tha se nuk mundi ta bënte këtë.

Udhëzimi Administrativ për shkarkimin e kryetarëve, i cili do t’i hapte rrugë shpalljes së zgjedhjeve të reja në veri të Kosovës, parasheh një sërë hapash që çojnë në mbledhjen e nënshkrimeve për peticion.

Së pari, duhet të formohet një grup iniciues, i përbërë nga së paku tre persona, që përfaqësojnë kërkesën e një komune të caktuar.

Ai grup, përpara se të fillojë me mbledhjen e nënshkrimeve, duhet ta informojë kryetarin e kuvendit të komunës, por mund ta informojë edhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). Më pas, kryetari i kuvendit komunal e njofton për këtë iniciativë qytetare kryetarin e komunës, Ministrinë përkatëse për Administrimin e Pushtetit Lokal dhe KQZ-në.

Pas kësaj, kryetari i kuvendit të komunës – më së voni në afat prej pesë ditësh – duhet ta shqyrtojë kërkesën e qytetarëve dhe ta regjistrojë grupin e qytetarëve që ka ndërmarrë iniciativën për zëvendësimin e kryetarit si person të autorizuar.

Nëse kryetari i kuvendit të komunës nuk e kryen punën e tij, grupi i qytetarëve mund të kërkojë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që ta shqyrtojë kërkesën e tij dhe ta regjistrojë si person të autorizuar.

Kur grupi i qytetarëve regjistrohet si person i autorizuar, kryetari i kuvendit të komunës duhet të kërkojë nga KQZ-ja listën e përditësuar të votuesve me të drejtë vote, brenda pesë ditësh.

Hapi i radhës është që kryetari i kuvendit të komunës t’i dorëzojë grupit të qytetarëve, si person i autorizuar për ndërmarrjen e iniciativës për shkarkimin e kryetarit, dokumentacionin e nevojshëm, që përfshin numrin e saktë të nënshkrimeve të kërkuara për peticion, d.m.th. 20 për qind të numrit të përgjithshëm të votuesve.

Këtij grupi, gjithashtu, i jepet autorizimi i kuvendit të komunës për shfrytëzimin e hapësirës publike për mbledhjen e nënshkrimeve.

Nëse ky grup nuk e merr dokumentacionin e nevojshëm brenda afatit të caktuar prej pesë ditësh, ai ka të drejtë ta kërkojë të njëjtën gjë nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.

Më pas, KQZ-ja – jo më vonë se pesë ditë pas marrjes së kërkesës – e njofton kryetarin e kuvendit komunal dhe grupin për ndërmarrjen e iniciativës për zëvendësimin e kryetarit të komunës për numrin e përgjithshëm të votuesve në komunë dhe numrin e nënshkrimeve të votuesve që kërkohet.

Mbledhja e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarit dhe votimi

Ky grup, më pas, ka 30 ditë kohë për të mbledhur nënshkrime dhe afati mund të shtyhet vetëm një herë për 15 ditë.

Nënshkrimet, të cilat duhet të mblidhen në formë fizike, i dorëzohen kryetarit të kuvendit të komunës dhe KQZ-së, e cila është përgjegjëse për verifikimin e tyre.

Nëse KQZ-ja konfirmon se nënshkrimet e mbledhura janë të përshtatshme dhe i verifikon ato, atëherë organizohet votimi për shkarkimin e kryetarit, i cili duhet të mbahet brenda 45 ditësh.

Që procesi për zëvendësimin e kryetarit të jetë i suksesshëm, duhet 50 për qind plus një votë e qytetarëve me të drejtë vote.

Pas kësaj, rezultati i dërgohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka një afat ligjor prej 30 deri në 45 ditë për të shpallur zgjedhje të parakohshme.

Por, nëse në votimin për shkarkimin e kryetarit nuk ka 50 për qind plus një votë, iniciativa konsiderohet e pasuksesshme dhe, në atë rast, Udhëzimi Administrativ parasheh që një nismë e ngjashme mund të ndërmerret vetëm pas 12 muajsh.

Grupi i qytetarëve nga komunat e veriut të Kosovës mori përgjigje nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës se për të nisur iniciativën për zëvendësimin e kryetarëve të komunave, ai duhet t’i kontaktojë kryetarët e kuvendeve të atyre komunave.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ)

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha për mediat në adresën e këtij institucioni më 5 dhjetor, kanë arritur katër emaile me kërkesën për ndërmarrjen e nismës për zëvendësimin e kryetarëve.

Paraprakisht, më 12 tetor të vitit që lamë pas, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u bëri thirrje përfaqësuesve të serbëve në veri të Kosovës që ta iniciojnë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri, në mënyrë që “levat bazë të pushtetit të arrijnë në duart e atyre që jetojnë atje”.

Duke u bazuar në listën përfundimtare të votuesve për zgjedhjet e prillit, i bie që për ta çuar peticionin përpara, në Mitrovicë të Veriut duhen 3 mijë e 600 nënshkrime, në Leposaviq 2 mijë e 600 nënshkrime, në Zveçan 1 mijë e 400 nënshkrime dhe në Zubin Potok 1 mijë e 300 nënshkrime.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika