Dizajneri 21-vjeçar nga Kosova, Choixx, i cili triumfoi në finalen e madhe të emisionit “Style Star” në Shqipëri, si çmim fitues kishte mundësinë ta prezantojë koleksionin e tij të veshjeve në Paris. Por, vlerësimi i punës u bë vetëm nga juria, pasi çmimi fitues nuk iu dha dizajnerit të ri.
Qëndrim Hasani, i njohur me emrin Choixx, në intervistë për Portalin Dukagjini, ka treguar se menjëherë pas disa javësh që ka përfunduar emisioni, i ka kontaktuar për të marrë informacione më të hollësishme, duke rënë dakord me produksionin e emisionit që të bëjnë një takim, i cili sipas tij, nuk është bërë kurrë.
“Të them të drejtën pasi përfundoi emisioni që dola si fitues i kam kontaktuar unë të marr informacione se si do të bëhet prezantimi i një koleksioni në shtëpinë më të madhe të modës në Paris, dhe kemi rënë dakord që të bëjmë një takim pikërisht për këtë gjë, por që ai takim nuk u bë kurrë”, është shprehur Choixx.
Ai ka thënë se aspak nuk i ka bërë presion produksionit të emisionit rreth marrëveshjes në lidhje me çmimin fitues, por vetëm ka dashur të dijë se si do të bëhet në mënyrë që të jetë i përgatitur. Por sipas tij, ata nuk i janë përgjigjur telefonatave të tij.
“Në dy apo tre telefonatat e mia dhe mesazhet që i kam bërë nuk më është kthyer përgjigje, dhe e kam hequr nga mendja sepse nuk dua të rri duke pritur në një përgjigje, kur gjatë kësaj kohe mund të punoj në gjërat e mia në brendin tim, sepse suksesi i punës time nuk varet nga një çmim i tyre që unë fitova”, ka thënë ai.
Po ashtu, ai ka thënë se nuk i është ofruar asgjë, as edhe ndonjë përfitim financiar, por edhe nëse tani i ofrohet, ai ka thënë se nuk do ta pranonte më.
Ndërsa, konkurrentja finaliste, Armida Kadriu, e cila nuk ka mundur të jetë pjesë e finales për shkak të një problemi shëndetësor, në një intervistë për Portalin Dukagjini ka thënë se fakti që Choixx nuk ka marrë çmimin nuk ishte habi për të, pasi sipas saj, një pjesë e madhe televizioneve i përdorin figurat e reja me pretekstin që, televizioni në fjalë po i bën të njohur dhe çfarë u duhet më shumë.
“Ishte një humbje kohe shumë e madhe. Unë e dija që nuk do të jepej një çmim, sepse kishte një fasadë shumë të madhe përpara, dhe një emsion jo aq i përgatitur sa duhet. Më vjen keq për Choixx, sepse ne kemi dhënë shumë nga vetja, dhe po ashtu shpenzim ekonomik shumë i madh”, ka thënë Kadriu.
Po ashtu, ajo ka thënë se televizionet shqiptare nuk janë aspak suportuese për të rinjtë, dhe sipas saj, janë një mashtrim total.
Marrëveshja e nënshkruar nga konkurrentët me produksionin e emisionit
“E vetmja marrëveshje që ndoshta mund ta quaj të tillë ka qenë kontrata që mua dhe të tjerëve na është dashur ta nënshkruajmë në rast se thyejmë ndonjë rregullore apo diçka të tillë gjatë procedurës së emisionit, dhe gjithashtu në kontratë nuk është përmendur asgjë për çmimin që do të fitohet”.
Këto ishin fjalët e dizajnerit i cili ka treguar se aplikimi në emisionin “Style Star”, është bërë përmes prezantimit të tij te dy anëtarët e jurisë, Niko Komani dhe Miranda Dupi, dhe te producenti artistik i emisionit Popi Kola, nga të cilët, Choixx u përzgjodh si konkurrent i sezonit te dytë.
Portali Dukagjini ka provuar të kontaktojë autoren e emisionit, Kirara Tito, e cila ishte edhe prezantuese, producentin nga i cili Choixx ka kërkuar informacione rreth çmimit fitues, por ata nuk kanë kthyer përgjigje.
“Nuk kam asnjë lloj mendimi apo opinioni pse nuk u realizuan çmimet që unë i fitova, një gjë e di që unë dola fituesi dhe ia dola i vetëm në forcat e mia dhe jam shumë i lumtur që ia arrita qëllimit tim”, ka shtuar Choixx.
Ndërkaq, Choixx është pyetur se nëse ka informacione që fituesja e edicionit të parë të “Style Star” ka marrë çmimin fitues, ai ka thënë se ka komunikuar me të, dhe “po, ajo e ka marrë çmimin”.
Nga ABC, një kanal televiziv i Shqipërisë, thuhej se konkurrentëve u është ofruar nga një kontratë njëvjeçare për të punuar në programet e tyre, dhe një kontratë me Grace Model secilit finalistë.
Ndërsa, Choixx ka thënë se “nuk mund të jap një sqarim për diçka që as unë nuk kam informacion për aq sa dini ju dhe publiku di dhe unë, asgjë më shumë dhe asgjë më pak”.
“Diku pas një muaji e gjysmë Grace Model më ka telefonuar për të realizuar një takim së bashku për të folur më gjerësisht rreth çmimit që më ofruan. Jam takuar me Grace në Tiranë në zyrën e saj, dhe pas takimit nuk dola i kënaqur sepse nuk ishte një intership që mua me konvenonte, kështu që ta them me një fjalë nuk kam dashur që ky intership të realizohet”, ka thënë tutje Choixx.
Vështirësitë e udhëtimit nga Kosova për në Tiranë
21-vjeçari ka treguar edhe vështirësitë e tij për të qenë pjesë e emisionit garues në çdo episod, dukë thënë se udhëtimi ishte gjëja më e lodhshme, pasi ka udhëtuar tre muaj me autobus për në Tiranë.
“Mund të them se udhëtimi ka qenë gjëja më e lodhshme e atyre tre muajve sepse unë kam udhëtuar tre muaj me autobus dy herë në javë, kam mbërritur në Tiranë në mëngjes çdo të premte, dhe jam kthyer në Kosovë çdo të diel. Pa marrë parasysh të gjithave gjërave që ndodhen pas emisionit, nuk jam aspak pishman për pjesëmarrjen”, ka thënë Choixx
Choixx bën koleksionin e parë të veshjeve në “shtëpinë e tij të modës” në Kosovë
Edhe pse nuk iu dha mundësia të bëjë koleksionin e tij të parë në Paris, dizajneri ka arritur që këtë ta bëjë në vendlindjen e tij në Kosovë.
“Koleksioni im i parë ka qenë shumë i vështirë, dhe ka zgjatur shumë për ta përfunduar, arsyeja është sepse u mësova që të isha çdo javë në emision aktiv dhe pas përfundimit mund të them që me kapi pak ‘vetmia’ apo ajo përtacia për të punuar, por që arrita ta përfundoj koleksionin tim të parë”, është shprehur Choixx.
Ai veshjet i ka dizajnuar dhe realizuar i vetëm, por gjithmonë i ka ndarë idetë me familjar, për të marrë opinionin e tyre.
Gjithashtu, ai ka thënë se ka pasur ndihmë dhe ka qenë tërë kohën në kontakt me mikeshën e tij, Enxhi Valteri, e cila ka qenë konkurrente në sezonin e parë të “Style Star”.
Ai ka thënë se koleksionin e tij të parë në fillim nuk kishte ide se si do ta titullonte, por kishte sugjerim nga mikja e tij Valteri, që të shfaqej më 1 shtator, kur edhe ishte lindja e hënës së re, nga kjo ai u inspirua që koleksionin ta quajë “Moonlight Collection”.
“Moonlight Collection përmban shtatë veshje të cilat janë të gjitha me material Jeans, por gjithashtu, kam përdorur edhe një material i cili nuk është i zakonshëm në botën e tekstilit, e kam fjalën për rrjetën e cila është material ndërtimor. Veshjet janë unisex, dhe të limituara, që do të thotë janë veshje edhe për vajza edhe për djem, dhe nuk do ketë një veshje të dytë të dizajnit të njëjtë”, ka thënë ai.
Ndërkaq, i gjithë realizimi i Moonlight Collection që nga pika e parë dhe deri në pikën e fundit, Choixx është kujdesur vetë, si në realizimin e veshjeve, por gjithashtu edhe në realizimin e photoshooting e çdo gjë tjetër.
Për fund, Choixx ka thënë se nëse do të bëhet një edicion i sezonit të tretë të emisionit “Style Star”, nëse e keni dëshirë “prezantoni veten tuaj në mënyrën tuaj më të mirë, mos shkoni me qëllime që do të fitoni një çmim, por shkoni me mendimin që do t’u tregoni njerëzve se sa të aftë dhe sa kreativ jeni”.