Hetimet e nisura një vit më parë, u konkretizuan me një vendim, e me një gjobë të majme për MTS.
Shkeljet, sipas vendimit të Autoritetit të Konkurrencës kishin filluar në vitin 2019, kur në atë kohë, ishin bërë tri shtitblerje të kompanive kabllore nga MTS, e ngjashëm ishte vepruar edhe dy vjet më vonë.
Por transaksionet, ishte bërë në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës, duke mos parashtruar kërkesën për njoftimin e detyruar për përqendrim për blerjen e 100 për qind të aksioneve.
Në një përgjigjje për Dukagjini, kryetarja e Komisionit, Neime Binaku Isufi, ka sqaruar hapat që i kanë paraprirë gjobës, dhe hapat që do të ndërmerren nëse nuk paguhet e njëjta.
“Për rastin e MTS-së ka pasur dhe seancë dëgjimore, pra të gjitha procedurat janë kryer në përputhje me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës, pas çka kemi marrë vendim. Autoriteti i Konkurrencës pret që Ndërmarrja MTS d.o.o të veprojë sipas këtij vendimi, ashtu që të paguajë gjobën në mënyrë vullnetare, në të kundërtën jemi të detyruar të veprojmë sipas ligjeve respektive”, tha Neime Binaku Isufi, kryetare e komisionit të AKRK.
Gjoba prej mbi 1.5 milion euro për MTS, është mirëpritur nga zyrtarë të komunës së Mitrovicës së Veriut, derisa shpresojnë që t’i hapet rrugë edhe veprimtarës së kompanive të tjera të telefonisë në veri.
“Shumica e banorëve këtu e shfrytëzojnë MTS e cila është e Serbisë dhe dhashtë zoti që tash të jetë një luftë mes konkuerencave. Po e shohë se po afrohet normaliteti ketu në këtë pjesë. Vala këtu nuk është e vertet se operon në tërësi pasi në shumicën e komunave veriore nuk ka mundur t’i mbulojë ky operator”, tha Skender Sadiku, zëvendëskryesuesi i Kuvendit Komunal në Mitrovicën e Veriut.
MTS është kompania simotër e operatorit shtetëror të telekomunikacionit të Serbisë, “Telekom Serbia”, e themeluar në vitin 2015, me bazë tek marrëveshja që Kosova dhe Serbia arritën në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve.
Përveç shërbimeve të telefonisë mobile e fikse, në komunat me shumicë serbe, ofron edhe pako televizive e shërbime interneti.