Betim Gjoshi nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është duke i liruar të dyshuarit për sulme ndaj gazetarëve në koordinim me Milan Radojçiqin.
“Kot po mundohet Albin Kurti, direkt apo nëpërmjet papagallëve të tij, që lirimin e pjestarëve të bandës së Milan Radojçiqit, t’ia faturojë të tjerëve”, ka shkruar Gjoshi.
Gjoshi ka thënë se “koordinimin e fshehtë” të Kurtit me Radojçiqin, “vetëm sa e ka formalizuar në Bratisllavë zëvendësi i tij i dhunshëm, Besnik Bislimi”.
Sipas tij, kryeministri si “bashkëpunëtor i kryekriminelit dhe nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radojçiqit”, është duke i liruar të dyshuarit për sulme ndaj gazetarëve.
Kujtojmë që deri më tani janë katër serbë nga tetë të arrestuarit e deritanishëm që janë liruar me kusht.