Një person është arrestuar të mërkurën e 22 qershorit, i cili dyshohet për veprën penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Policia e Kosovës ka njoftuar se mbështetur në hetimet fillestare dhe provat e siguruara, dyshimet e para janë ngritur se si pasojë e një zënke të mëhershme ndërmjet të dyshuarit dhe ankuesit, dyshohet se i dyshuari në mbrëmjen e së martës, nga vetura e tij ka shtënë me armë zjarri në drejtim të veturës së ankuesit.
Sipas policisë, nga të shtënat nuk është raportuar për ndonjë të lënduar.
“Hetuesit e Stacionit Policor Jugu në Mitrovicë, kanë arrestuar të dyshuarin G. A., 24-vjeçar, shtetas i Republikës së Kosovës, mbi dyshime të arsyeshme për kryerje të veprës penale ‘shkaktim i rrezikut përgjithshëm’”, thuhet në njoftim.
Bazuar në njoftim, në cilësi të provës materiale në vendin e ngjarjes është gjetur një predhë, ndërsa nga i dyshuari është sekuestruar një armë e llojit pistoletë me tetë fishekë, e cila do të procedohet për ekzaminime të mëtejme.
Pas intervistimit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
“Të gjitha veprimet e ndërmarra i janë paraqitur prokurorit të çështjes, ku pas intervistimit, të dyshuarit me aktvendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”, vijon njoftimi.
Rasti është iniciuar dhe po hetohet për veprën penale ‘shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’ .