Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë një konference të përbashkët me homologun e saj nga Letonia, Egils Levits, ishte pyetur nga një gazetar i mediumit T7 që të japë një koment mbi skandalin e ambasadorit të Kosovës në Zagreb, Martin Berishajt, dhe të tregojë nëse është e vërtetë që ajo të njëjtit ia ka dhënë nënshtetësinë dy muaj para se ta merrte detyrën.
Presidentja Osmani e ka konsideruar pyetjen si konstatim, duke shtuar se është për keqardhje që gazetarët konstatojnë diçka për një ambasador të Kosovës, ”që nuk është konstatuar nga asnjë organ i drejtësisë, por, thjeshtë është shkruar nga një media’’.
Mirëpo, sjelljet e tilla të liderëve të vendit ndaj gazetarëve nuk janë të rralla dhe janë shqetësuese për lirinë e shprehjes së mediave.
Muhamet Jahiri, shef i Departamentit të Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, ka thënë për RTV Dukagjini, që, pavarësisht se vendi ynë u rendit më mirë se disa vende në raportet fundit për lirinë e mediave, gjendja në terren vazhdon të mbetet shqetësuese.
Ligjet e këtij vendi ofrojnë liri dhe mbrojtje të mediave në ushtrimin e punës së tyre, megjithatë shumë redaksi vazhdojnë të ballafaqohen me telashe që ndërlidhen me cenimin e lirisë së mediave.
Për sjelljen e presidentes Osmani, Jahiri ka thënë se ka kohë që në mentalitetin e institucioneve të vendit është instaluar një gjuhë denigruese ndaj gazetarëve dhe mediave. “Përfaqësuesit e institucioneve të vendit, në vend që të ofrojnë transparencë për punën dhe rezultatet e tyre, ata i përdorin gazetarët dhe fyerjet ndaj tyre, si shkak për t’i zhvendosur nga diskutimi, temat që ndërlidhen me temat e tyre”.
“Kësaj sjelljeje dhe gjuhe denigruese ndaj gazetarëve duhet t’i jepet fund, sepse sjellja e krerëve të institucioneve dhe spektrit politik ndaj gazetarëve ka dhe efekte të tjera. Sepse kjo e rrit unin e grupeve të ndryshme të interesit që t’i stimulojnë gazetarët më lirshëm dhe më lehtë të denigrojnë punën e tyre profesionale”, ka thënë Muhamet Jahiri.
Sa i përket sjelljeve të liderëve politikë ndaj gazetarëve, Jahiri thotë se politikanët kanë instaluar një mentalitet të tillë të sjelljes si rezultat i abuzimit me pushtetin që kanë. Kjo qasje bëhet për t’u shmangur nga temat që trajtojnë gazetarët.
Ai këto sjellje i konsideron ikje nga përgjegjësia, mungesë e llogaridhënies dhe mostransparencë.
Për presionin e gazetarëve nga liderët politikë dhe mbrojtjen e gazetarëve nga organet e vendit, shefi i Departamentit të Gazetarisë në UP, ka thënë se një pjesë e gazetarëve e bëjnë punën e tyre nën presionin dhe trysninë që shumë herë vjen nga institucionet dhe grupet politike. Komoditeti i presioneve ndaj mediave dhe gazetarëve ka ardhur edhe si rezultat i mosfunksionimit të duhur të organeve të drejtësisë në vend, të cilat trashmë e kanë dëshmuar se lëndët dhe kërcënimet ndaj mediave dhe gazetarëve nuk trajtohen me prioritet nga ana e tyre.
Sa i përket së ardhmes së gazetarisë, Muhamet Jahiri ka thënë se historia e ka dëshmuar se mediat i mbijetojnë çdo sjelljeje dhe arrogance të pushtetit dhe se pushtetet janë të përkohshme. Gazetarët duhet të vazhdojnë të përmbushin profesionin dhe misionin e tyre që kanë dhe të informojnë publikun për gjërat e rëndësishme.
“Gazetarët duhet të jenë të bashkuar në kauzën e tyre, për ta mbrojtur njëri-tjetrin dhe për t’i mbrojtur vlerat demokratike që janë të garantuara me aktet më të larta të shtetit. Gazetarët duhet të vazhdojnë të luajnë rolin e çdo pushteti dhe të jenë gardian të promovimit të vlerave demokratike dhe universale në përgjithësi”, ka shtuar Jahiri.
Reagime të (pa)arsyetueshme
Ndërsa sociologu Jeton Brajshori, sa i përket lirisë së mediave, për RTV Dukagjini ka thënë se në çdo vend liria e mediave është e garantuar me ligj, edhe te ne është e njëjta.
Sipas tij, shumica e mediave janë të kontrolluara nga politika, andaj konsideron se kemi shumë pak media që janë të pavarura, e kjo ndikon në cilësinë e medias.
Brajshori ka thënë se presidentja Osmani ka qenë pre e mediave për shumë kohë dhe jo ndoshta për të personalisht, por për të bëmat e burrit të saj.
‘’Kjo ka ndikuar që presidentja të reagojë në mënyrë të tillë. Por, nuk e arsyetoj atë reagim, sepse krerët shtetërorë duhet ta kuptojnë se mediat bëjnë punën e tyre. Pa marrë parasysh se çfarë takimi keni qenë apo me kënd keni dalë në konferencë, gazetari ka të drejtë të bëjë pyetje, të cilat edhe mund të mos pëlqehen, dhe kjo ndodh edhe në vendet më demokratike të botës’’.
Për qasjen e tillë të liderëve ndaj gazetarëve, sociologu Brajshori është i mendimit se në shoqërinë tonë politika ka depërtuar në të gjitha sferat dhe sidomos te mediat.
‘’Mediat e ndryshme janë direkt të financuara nga partitë politike, të cilat përmes këtyre mediave dërgojnë mesazhe te popullata dhe duke i atakuar oponentët politikë. Liderët politikë duke e ditur rëndësinë e mediave tentojnë t’i fusin nën kontroll, duke iu bërë dhe favore financiare përmes reklamave nga kompanitë publike. Ndërsa, kontrolli i mediave nga liderët, thjesht prodhon më shumë fuqi dhe elektorat për ta’’, ka thënë ai.
Për presionin ndaj gazetarëve, Brajshori ka thënë se gazetaria sot te ne atakohet më shumë nga njerëzit që kanë pushtet dhe se për këtë kemi shumë raste kur gazetarët janë kërcënuar nga instancat më të larta shtetërore.
‘’Tentimi i frikësimit dhe shantazhimit të gazetarëve, presionet e ndryshme deri në sulmet fizike që kanë ndodhur, thjesht ngjasojnë më shumë në vendet diktatoriale nëpër botë. Po ashtu, edhe mosshkuarja e liderëve politikë në disa mediume të caktuara, sepse militantët politikë i shohin këto media të papërshtatshme për ta dhe gazetarët e tyre janë pre e fyerjes dhe kërcënimeve nga ta’’.
Përveç reagimeve nga AGK-ja dhe disa individëve, organet e vendit reagojnë varësisht nga situata, duke mos i marrë këto kërcënime shumë serioze, përderisa dikush të kërcënohet me jetë.
“Shteti po dështon të bëjë punën karshi mediave!”, ka thënë Brajshori për RTV Dukagjini.
Për të ardhmen e gazetarisë në vend, Brajshori ka thënë se është e zymtë, për shkak të faktorëve të listuar më lart.
‘’Po ashtu edhe gazetarët profesionistë duhet të ngritin zërin edhe ndaj pseudogazetarëve. Profesioni i gazetarit është i shenjtë dhe i tillë duhet të mbetet. Nëse shteti dështon në këtë aspekt, atëherë, ne si shoqëri e kemi obligim t’i mbrojmë dhe t’i përkrahim në punën e tyre, sepse media e lirë është vlerë demokratike’’.
Rasti i Presidentes Vjosa Osmani nuk është i vetmi. Sjellje jo të duhura në raport me një gazetare të Periskopi-t, së fundmi ka pasur edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sfeçla, gjatë një konference për media.
Ndërsa deputeti i partisë në pushtet, Haki Abazi kishte dërguar ‘selame’ ndaj mediumit Albanian Post dhe drejtorit të saj, Baton Haxhiu, rast i cili është paraqitur edhe në Raportin e Departamentit të Shtetit amerikan.
Për gazetarët dhe mediat, liria e shprehjes është e rëndësishme për shkak të rolit të tyre në shoqëri, për të zbuluar të vërtetën dhe për të informormuar publikun. Gazetarët, duke informuar publikun, i mundësojnë audiencës që të marrin pjesë në vendimmarrje. Për këtë arsye, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, gazetarët i konsideron mbikëqyrës publikë, roli i të cilëve është të shpërndajnë informacione përmes televizionit, gazetave, mediave online dhe mjeteve të tjera të informimit.
Dikur gazetari kolumbian, Gabriel Garcia Marquez, kishte thënë se më parë profesioni i gazetarisë mësohej në zyrat e redaksive, shtypshkronja e në qoshe të kafeneve, dhe gazeta përgatitej në mjedise që ngjanin në punishte.
Sipas Marquez, gazetarët ishin aq fanatikë për profesionin e tyre sa që nuk flisnin për asgjë tjetër.
Gjatë asaj kohe, gazetaria ndahej në tri kategori: lajme, historitë me karaktere dhe editoriale, dhe rubrika që mbante më shumë prestigj përfshinte editorialet. Por, ushtrimi i gazetarisë, sipas tij, kërkonte një kulturë të gjerë dhe këtë e ofronte mjedisi i punës.