Pavarësisht fushatave dhe projekteve për rritje të ndërgjegjësimit ndaj përdorimit të gjuhës së urrejtjes nëpër rrjetet sociale, kjo e fundit vazhdon të jetë një problem në rritje.
Ndonëse një fenomen i tillë ka qenë prezent qysh në fillimet e ekzistencës së rrjeteve sociale, gjuha e urrejtjes ka evoluar me zhvillimin dhe modernizimin e rrjeteve sociale.
Gjuha e urrejtjes nuk di të bëjë dallime, përfshin gra, burra, fëmijë, yje botërore, komunitetet LGBTQ+ e shumë të tjerë. Për vite të tëra, ky forum pikëpamjesh shërbeu një vend ku secili mund të shprehte mendimet e veta, qoftë në avatazh apo në dëmtim të komuniteteve, gjinive dhe moshave, pa përjashtim.
Ndikimi psikologjik i gjuhës së urrejtjes tek individët, veçanërisht te fëmijët
Sesi ndikojnë shprehje të tilla te njerëzit, për Portalin Dukagjini ka folur psikologia Diellza Gllogu.
Sipas Gllogut, ekziston një mungesë e hulumtimeve mbi çështjen e gjuhës së urrejtjes në Kosovë dhe nuk ka informata të qarta sesi të rinjtë e perceptojnë gjuhën e urrejtjes dhe deri në çfarë mase janë të ekspozuar ndaj kësaj gjuhe. Mirëpo sipas saj, nuk mund të mohohet se përdorimi i kësaj gjuhe është një e atillë që rritet dita-ditës.
“Është evidentuar se personat të cilët janë përballur me një gjuhë të tillë kanë më shumë gjasa të përjetojnë gjendje emocionale të rënduar pasi përjetojnë emocione të ndryshme negative, si trishtim, zemërim, zhgënjim dhe poshtërim. Po ashtu mund të ndihen të vetmuar, pra të përjashtuar, sikur të mos kenë miq, shfaqin vetëbesim të ulët, ndjenja vetëfajësimi, performancë të dobët në shkollë apo në punë”.
“Viktimat e gjuhës së urrejtjes në internet mund të ndihen sikur u është cenur dinjiteti njerëzor, duke mos e parë më veten si të mirë dhe të përshtatshëm, në përputhje me normat socio-kulturore”, ka thënë Gllogu gjersa ka theksuar se si shkak i kësaj gjuhe, individët të ekspozuar ndaj saj kanë frikë ta shprehin veten.
Nga përdorimi i kësaj gjuhe nuk kursehen fatkeqësisht as fëmijët. Për këtë, Gllogu thotë se fëmijët e ekpozuar ndaj gjuhës së urrejtjes mund të përjashtohen nga moshatarët e tyre dhe si rrjedhojë ndihen të vetmuar dhe të izoluar.
Në raste të tilla, shpesh janë prindërit të cilët akuzohen për moskujdesin, e ndonjëherë edhe për mosinteresimin në çështje të tilla, ku potencialisht mund të jenë të ekspozuar fëmijët të cilët kanë çasje në rrjetet sociale.
Për këta të fundit, psikologia Gllogu thotë se nga frika që nuk mund të kuptohen, ata gjithashtu “nuk duan ta zyrtarizojnë problemin sepse ndihen të kërcënuar” ose thjesht “ndihen të turpëruar dhe të pafuqishëm “, prandaj, ata duan “të merren vetë me problemin”.
Gllogu inkurajon prindërit apo kujdestarët që të punojnë në mënyrë të vazhdueshme në krijimin dhe mbajtjen e marrëdhënieve të shëndosha me fëmijët e tyre, në mënyrë që fëmija të mos hezitojë të ndajë me prindërit shqetësimet që ka.
Siç e përmend edhe psikologia Gllogu, një ndër komunitetet më të shënjestruara të kësaj gjuhe është ai i LGBTQ+. Për të qenë më të sigurt dhe njëherësh, për ta marrë anën e tyre të historisë, Portali Dukagjini ka kontaktuar me “Dylberizm”.
“Që nga parada e parë shihet një fuqizim i komunitetit, i cili çdo ditë e më shumë po e jetojnë jetën e tyre siç dojnë ata/ato personalisht e jo siç don rrethi familjar ose shoqëror”.
Kështu ishte përgjigjur faqja përfaqësuese e komunitetit LGBTQ+, Dylberizm, në pyetjen e Portali Dukagjini rreth shënimit të paradës së gjashtë radhazi në qershor të këtij viti.
“Ju nëmt Burdushi”, “marre ju qoftë”, “motrat n’*** jau q***”, “jeni ma zi se kafsha”, “dashnia nuk është sëmundje, por ju jeni të sëmurë”, “ku s’po ju vran zoti”, “a bën ta dijë ku i keni zyret se bash po kam qejf të vijë me jau q* kejt familjen”, janë vetëm disa nga shprehjet e pranuara në postimet e tyre, të cilat i ka dërguar në imazhe Dylberizm për Portalin Dukagjini.
Se pse komuniteti LGBTQ+ është një ndër komunitetet më të ekspozuara nga gjuha e urrejtes në rrjete sociale, Dylberizm thotë se “janë faktorë të ndryshëm të cilët ndikojnë në ushqyerjen e mendësisë homofobike dhe transfobike”.
”Homofobia dhe transfobia, ashtu edhe si racizmi, seksizmi, misogjinia etj., janë urrejtje irracionale të cilat janë imponuar në shoqëri nga sistemi patriarkal e kapitalist, i cili është faktor i homofobisë jo vetëm në Kosovë, por në gjithë botën. Nga ky sistem, kjo mendësi kalon nga një gjeneratë në tjetrën, dhe ndër vite është ushqyer edhe nga religjioni dhe faktorë tjerë të cilët e dënojnë homoseksualitetin”, kanë thënë nga komuniteti për Portalin Dukagjini.
Gjersa thonë se këtu ka gisht edhe sistemi arsimor i Kosovës ngase gjeneratat e reja i mëson se “homoseksualiteti është sëmundje apo çrregullim mendor”, Dylberizm thotë se nga kjo pjesë nuk përjashtohen as mediat dhe as pushteti qeveritar.
“Mediat gjithashtu luajnë rol në shpërndarjen e kësaj mendësie, duke krijuar lajme senzacionale për përfitime materiale në kurriz të personave që i takojnë komunitetit LGBTQ+. Së fundmi, pushteti qeveritar, duke përfshirë edhe partitë politike dhe deputetet promovojnë gjuhën e urrejtjes ndaj personave LGBTQ+ në media dhe seanca parlamentare, duke kontribuuar kështu që masa të ndikohet dhe të thirret në promovimin e urrjetjes ndaj komunitetit tonë”, thotë Dylberizm.
Gjuha e urrejtjes ndaj këtij komuniteti ka shtyer në promovimin e homofobisë dhe transfobisë në vend, por njëherit edhe atë të dhunës fizike dhe psikologjike.
“Nga përdorimi i gjuhës së urrejtjes në masmedia, shumë persona LGBTQ+ janë ngacmuar seksualisht, fizikisht dhe disa prej tyre janë sulmuar fizikisht. Disa prej rasteve janë të regjistruara nga organizatat Cel Kosova dhe CSGD. Si pasojë e gjuhës së urrejtjes, shumë persona LGBTQ+ të cilët kanë zbuluar identitetin e tyre në familjet e tyre janë sulmuar nga familjarët e tyre, e disa prej tyre edhe janë dëbuar”, thotë Dylberizm gjersa thekson se gjuha e urrejtës shtyn në rritjen e akteve të dhunës ndaj pjesëtarëve të komunitetit LGBTQ+.
Mirëpo, pavarësisht kësaj, Dylberizm thotë se asnjë rast nuk është raportuar në Policinë e Kosovës deri tani.
Gjersa ka theksuar se trajtohen raste të ndryshme ku ankues mund të jenë individë, biznese apo edhe institucione, ankesa e të cilëve ka të bëjë me raste që ndërlidhen me internetin (rrjetet sociale), Policia e Kosovës ka dërguar disa të dhëna të përgjithshme Portalit Dukagjini, jo vetëm nga rastet e raportuara për media sociale, por njëherësh edhe siç janë “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”, “Ngacmim” dhe “Kanosje për periudhën kohore janar-gusht 2022”.
Deri tani, për “Nxitje e përçarjes dhe mosdurimit”, janë 10 raste të raportuara. Të “Kanosje”-së janë 1 mijë e 563 raste dhe të “Ngacmimi”-të janë 370 prej tyre.
“Në situata të tilla kur kemi të bëjmë me raste të natyrave të ndryshme apo dhe veprime të tjera të paligjshme që mund të ndodhin përmes rrjeteve sociale, Policia e Kosovës në koordinim dhe bashkëpunim me prokurorinë kompetente zhvillon hetime dhe arreston personat e dyshuar dhe rastet e tilla iniciohen në stacionet policore sipas kompetencës”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës për Portalin Dukagjni.
A ekziston mundësia të censurohet gjuha e urrejtjes në rrjete sociale?
“Ne e dimë që ne nuk mund t’i kontrollojmë gjithnjë faktorët e jashtëm e në veçanti botën e panjohur të internetit”, deklaroi psikologia Gllogu.
Mirëpo, a ka ndonjë veprim që mund të merret nga vetë platformat sociale në këtë drejtim?
Sipas njohësit të rrjeteve sociale, E.H, platforma e Facebook detyrimisht do të censurojë çdolloj të gjuhës së urrejtjes.
“Platforma e Facebook detyrimisht do të censurojë gjuhën e urrejtjes, kjo bëhet direkt nga Facebook ku censuron përmbajtjet që kanë gjuhë të urrejtjes, por gjithashtu censurim mund të bëhet edhe nga dikush që përfaqeson profil apo faqe ku mund të ndalojë disa nga fjalët që të mos përdoren nga njerëzit”, ka thënë E.H.
Ai për Portalin Dukagjini ka thënë se përmes sistemit automatik, Facebook mund të bllokojë përkohësisht dikë në rast se përdor gjuhë të urrejtjes, e nëse kjo përsëritet atëherë mund të vijë deri te fshirja e plotë e profilit apo faqes.
Megjithatë, çdo rrjet social ka rregullat dhe politikat e tyre në bazë të situatave që ata përballen, por gjithsesi rrjetet sociale dallojnë nga njëra-tjetra dhe mund të dallojnë në ndëshkimin më të ashpër apo më të lehtë.