Më 19 qershor, Instituti Albanologjik ka organizuar një akademi solemne për të festuar 70-vjetorin e themelimit të tij.
Manifestimi, i cili ka një rëndësi të veçantë për studiuesit dhe akademikët e kulturës shqiptare, po zhvillohet në mesin e miqve, kolegëve dhe përfaqësuesve të shquar të shoqërisë shqiptare.
Konferenca shkencore, “Albanologjia dje, sot dhe nesër” do të mbahet edhe më 20 dhe 21 qershor 2023, në objektin e Institutit Albanologjik në Prishtinë (IAP).
Shefi i degës së gjuhësisë në Institutin Albanologjik, Naim Berisha, në emisionin “Rreth e Rrotull” ka rrëfyer se si kanë shkuar përgatitjet për organizimin e kësaj konference shkencore.
“Është vit jubilar, Albanologjia dje sot e nesër, ka qenë temë e përbashkët e instituteve, si temë përgjithësuese ne jemi munduar të bëjmë përmbledhjen e një historiku që nga themelimi e deri më sot”, ka thënë Berisha.
Ai ka thënë se kjo konferencë ka një traditë të mirë e të bujshme dhe se Instituti Albanologjik deri më tani ka dhënë rezultate të kënaqshme.
“Albanologjia është mirë, por jo aty ku duhet, ka rezultate nuk janë të plota, por ne jemi aty rreth 50 punonjës, kemi pasur mysafirë nga gjitha qendrat albanologjike, Tiranë, Shkup ka pasur edhe të huaj. Sot e nesër nënkupton shtrirjen e albanologjisë aq sa kemi mundësi”, ka vijuar Berisha.
Të njëjtën e ka thënë edhe profesori, Sejdi Gashi, i cili ka thënë se ky institut ka hapësirë për plotësime dhe avancime të njohurive.
“Albanologjia u zhvillua në ato kushte që pati, herë në rrethana më liberale, mirëpo meqë i referohemi kësaj periudhe unë konsideroj se ka avancuar me hapa të shpejtë, por ka hapësirë për plotësime dhe avancime të njohurive”, ka thënë Gashi.
Ndërsa, se si ka ndryshuar gjuha shqipe ndër vite, të dy profesorët kanë thënë se gjuha është refleksion i këtyre zhvillimeve.
“Pjesa e ndryshimeve është proces normal i një gjuhe, rrjedhje normale e ndryshimeve që pëson secila gjuhë, në mënyrë specifike lidhet me leksikun, fjalorët”, ka thënë Berisha.
Ndërkaq, publicisti Eris Rusi ka thënë se këndvështrimi për gjuhën shqipe artikulohet mbi premisat e asaj që aspirohet në letërsinë shqipe që ushqehet nga gjuha shqipe.
Sipas tij, shqipja është gjuhë e cila nuk ka një gjuhë të dytë.
“Gjuha shqipe është një gjuhë që nuk ka një të dytë”, ka thënë Rusi.
Ndryshe, në konferencën shkencore të organizuar nga Instituti Albanologjik ishte i pranishëm edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Ai gjatë fjalimit të tij ka theksuar se instituti ka qenë i lidhur ngushtë me fatet e popullit shqiptar dhe ka përjetuar vështirësi dhe pengesa gjatë historisë së tij, duke u përmendur situata ku shqiptarët në ish-Jugosllavi mund të fitonin disa të drejta, por më pas mund të arrestoheshin.
“70 vjet të këtij institucioni janë shumë më shumë sesa të atyre Evropian. Jeta dhe veprimtaria e institutit ishte e lidhur ngushtë me fatet e popullit shqiptar. Shqiptari në ish-Jugosllavi mund të fitonte ndonjë të drejtë, por të nesërmen mund të arrestohej, ngjashëm ndodhi edhe me Institutin Albanologjik. Të merresh me të kaluarën do të thotë të hedhësh dritë në të tashmen dhe ky institut bëri ashtu”, ka deklaruar Kurti.
70-vjetori i Institutit Albanologjik, Kurti: Ndriçim i së tashmes nga e kaluara