Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq e ka ftuar në takim kryeministrin e këtij shteti Dritan Abazoviq, për të diskutuar në lidhje me miratimin e marrëveshjes së Qeverisë me Kishën ortodokse serbe.
Sipas raportimeve të “Vijesti”, Gjukanoviq i ka thënë Abazoviqit, se marrëveshja e miratuar mund të jetë e pranueshme vetëm nëse ajo legjitimohet edhe nga Gjykata Kushtetuese dhe legjislacioni në fuqi i Malit të Zi.
Burimet e gazetës “Vijesti” në Qeverinë e Malit të Zi, thonë se marrëveshja me Kishën ortodokse serbe mund të kthehet prapë në votim nëse ka argumente se ajo bie ndesh me ligjet e Gjykatës Kushtetuese.
Ditë më parë, kryeministri i Malit të Zi, Abazoviq, kishte thënë se është i gatshëm të japë dorëheqje, për shkak të situatës politike të krijuar atje. Këtë deklaratë i pari i qeverisë e kishte dhënë pasi presidenti Milo Gjukanoviq kishte thënë se partia e tij nuk do ta mbështesë qeverinë.
Ky vendim i Gjukanoviq-it ka ardhur pasi qeveria e Malit të Zi ka miratuar draft-kontratën me Kishën Ortodokse Serbe, gjë për të cilën kjo qeveri nuk ka mandat dhe pajtueshmëri të plotë politike.