Ish-presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, ka folur për aktin e agresionit të Serbisë ndaj Kosovës në Banjskë më 24 shtator.
Gjukanoviq, në intervistë për “Federalna TV”, ka thënë se akti ishte politikë e Rusisë, ndërsa ideja bazë ishte ndarja e Kosovës, teksa, sipas tij, ajo çfarë duhet bërë është përcaktimi se cila politikë krijoi atmosferën në të cilën u krye akti terrorist.
Në sulmin terrorist në Banjskë u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku e u plagosën dy policë të tjerë.
“Besoj se ajo ishte politikë e bashkësisë ndërkombëtare, e partnerëve perëndimorë, e Departamentit të Shtetit, politika e dorëzimit të Serbisë, politikë e lëshimeve ndaj Serbisë për të treguar politikën e saj në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Gjukanoviq.
“Pritej që Serbia të ndalonte pengimin e njohjes ndërkombëtare të Kosovës. Ajo që ndodhi ishte se Serbia i përdori ato lëshime. Serbia, në vend që të udhëheqë politikën e saj të brendshme, filloi të udhëheqë një politikë të kujdesit për serbët në rajon. Kësisoj, ajo shkatërron sovranitetin e fqinjëve të saj dhe përkeqëson stabilitetin e rajonit”, vijon ai.
Tutje, ai ka theksuar se ajo që ndodhi në Kosovë, është shprehja përfundimtare e një politike të gabuar ndërkombëtare, e cila është nënshkruar nga përfaqësues të autorizuar të Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor.
Gjukanoviq për situatën gjeopolitike thotë se është rezultat i “kthesës së Rusisë në raport me Perëndimin”.
Ai thotë se synimi i Rusisë ka qenë ta godasë Perëndimin dhe e ka bërë këtë në Evropë, ndërsa Ballkanin Perëndimor e ka parë si vendin më ideal.
“Është logjike që Rusia zgjodhi nacionalistët serbë në mesin e nacionalistëve më të mëdhenj ballkanikë. Në politikën e re të tij, Putini në fakt shpalli revizionizmin historik, për ta rinovuar disi Luftën e Ftohtë. Serbia e kupton këtë si mundësi për t’i rishikuar rezultatet nga e kaluara e afërt, ato që kanë ndodhur në 30 vjetët e mëparshme në Ballkanin Perëndimor. Serbia doli sërish me vlerësimin e saj se popullit serb iu bë një padrejtësi kozmike si gjatë shpërnguljes së popullit serb nga territori i ish-Jugosllavisë ashtu edhe gjatë realizimit të pavarësisë së Kosovës. Prandaj, në një vlerësim të tillë dhe në vlerësime të tilla, sigurisht që ka mungesë të realitetit. Para së gjithash, është e nevojshme të kujtojmë se lufta në zonën e ish-Jugosllavisë filloi me idetë e nacionalizmit serbomadh, duke rivizatuar kufijtë dhe duke krijuar një shtet ku do të jetonin vetëm serbët. Duhet ta mbani mend sloganin e Millosheviqit ‘Të gjithë serbët në një shtet’. Po kështu. Nevojitet pak më tepër realitet për të parë atë që i parapriu epilogut të Kosovës së pavarur”, ka përfunduar Gjukanoviq.