Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, vizitën e tij zyrtare në Kosovë do ta vazhdojë edhe gjatë së enjtes së 19 majit.
Në ditën e dytë të vizitës së tij në Kosovë, presidenti malazez do të takohet me përfaqësues të partive opozitare.
Ai do të vizitojë bazën e KFOR-it, do të mbajë një ligjëratë në Kolegjin AAB dhe do të marrë pjesë në Forumin e Biznesit të organizuar nga Konsulli i Nderit i Malit të Zi në Kosovë.
I shoqëruar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, Gjukanoviq do të marrë pjesë edhe në manifestimin “Ditët e malazezëve në Kosovë” organizuar nga Shoqata e Malazezëve “Lovćen”.
Ndryshe, të mëkurën e 18 majit, Gjukanoviq, është pritur me nderime të larta shtetërore nga presidentja Osmani, në sheshin Ibrahim Rugova në Prishtinë.
Në konferencën e përbashkët për media të të dy presidentëve, Gjukanoviq kishte thënë se Mali i Zi e mbështet Kosovën në aplikimin e saj për anëtarësim në Këshillin e Evropës, duke thënë se Evropa duhet të përsërisë mesazhin që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të kenë vend në BE.
”Anëtarësimi i Ballkanit në BE do të ishte investim i shkëlqyer. Ngjarjet në Ukrainë janë momente që na kanë zgjuar ne në Evropë dhe që në Ukrainë nuk është goditur vetëm pavarësia, por edhe sistemi i vlerave evropiane. Ka ardhur koha që Evropa të përsërisë mesazhin, që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë vendin në BE. Presim që në këtë moment dhe kohën e ardhshme të kemi të ripërtrirë procedurën e integrimit”, ka thënë presidenti malazez, transmeton PortaliD.
Ndërkaq, sa i përket iniciativës së Ballkanit të hapur, presidenti malazez ka thënë se nuk janë pjesë e saj, pasi sipas tij, ‘’Open Ballkan’’ ka rrjedhur në një moment të depresionit në rajon, kur e ka përfunduar mandatin kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe është vënë në pikëpyetje integrimi evropian.
Më 12 maj, Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla e ka dorëzuar aplikimin e Kosovës për anëtarësimin në Këshillin e Evropës.
Këshilli i Evropës është një organizatë e shteteve evropiane, e themeluar më pesë maj 1949, për të arritur një bashkim më të madh midis vendeve anëtare mbi bazën e traditave të tyre të përbashkëta të lirisë politike.