Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, të mërkurën e 18 majit do të vizitojë Kosovën.
Në kuadër të vizitës së tij dyditore, do të pritet nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të cilët pas takimit të tyre do të mbajnë një konferencë të përbashkët për media.
Njoftimin për ardhjen e presidentit të Malit të Zi e ka bërë publike presidenca e Kosovës.
Pas takimit të tij me presidenten Osmani, Gjukanoviq do të takohet edhe me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufcën.
Po ashtu, ai do të takohet edhe me kryetarin e Prishtinës, Përparim Ramën, i cili do t’ia dhurojë “Çelësin e Qytetit” presidentit të Malit të Zi.
Gjatë vizitës së tij në Kosovë, nuk do të mungojnë as takimet me përfaqësues të partive opozitare në Kosovë.
Në ditën e dytë të vizitës së tij në Kosovë, Gjukanoviq do të vizitojë bazën e KFOR-it, do të mbajë një ligjëratë në Kolegjin AAB dhe do të marrë pjesë në Forumin e Biznesit të organizuar nga Konsulli i Nderit i Malit të Zi në Kosovë.
Ndërkaq, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut për shkak të kësaj vizite zyrtare.
Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut të cilat do të jenë në intervale të shkurtra kohore, po ashtu do të jenë disa vende të caktuara ku do të kalojë eskorta dhe do të mbahen aktivitetet zyrtare.