Gjykata e Apelit e Kosovës ka refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të të pandehurve në rastin “Banjska”, duke lënë në fuqi aktakuzën dhe duke konfirmuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Gjykata e Apelit theksoi se vendimi i shkallës së parë përmban arsye të mjaftueshme dhe të qëndrueshme për refuzimin e pretendimeve të mbrojtjes.
“Gjykata e Apelit e Kosovës-Departamenti Special, i ka refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtësve së të pandehurve V.T., D.M. dhe B.S., ndërsa aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, PS.nr.79/24, të datës 06.12.2024, e ka vërtetuar.
Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, me aktvendimin PS.nr.79/24, të datës 06.12.2024, i ka refuzuar si të pabazuara kërkesat për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtimet ndaj provave, të paraqitura nga mbrojtësit e të pandehurve V.T., D.M. dhe B.S., kundër aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, PPS.nr.75/2023 të datës 11.09.2024.
Gjykata e Apelit, ka vlerësuar aktvendimin e ankimuar sipas pretendimeve ankimore, por edhe sipas detyrës zyrtare në drejtim të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës dhe ka konstatuar se i njëjti nuk është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, apo shkelje tjera e të cilët do ta kushtëzonin anulimin e aktvendimit dhe se gjykata e shkallës së parë ka dhënë arsye të mjaftueshme dhe të qëndrueshme për refuzimin e kërkesave për hedhjen e akuzës dhe kundërshtimeve ndaj provave të paraqitura nga mbrojtësit.
Gjithashtu, kolegji gjykues ka vlerësuar se nuk ka asnjë provë që mund të konsiderohet e papranueshme ose që është mbledhur në kundërshtim me dispozitat ligjore të KPP dhe nuk janë identifikuar asnjëra prej bazave ligjore që mund të justifikonin përjashtimin e provave, ashtu siç kërkohet me nenin 243, paragrafi 1, nënparagrafi 1.1, 1.2 dhe 1.3 të KPP”, thuhet në njoftim.