Gjykata e Lartë vendos sot për vulën dhe logon e PD-së, Berisha në protestë

Kjo kërkesë është dorëzuar për vendimin e 3 marsit, kur Apeli i Përgjithshëm ktheu për shqyrtim në Gjykatën e shkallës së parë çështjen e logos dhe të vulës së Partisë Demokratike. Në pritje të këtij vendimi, Sali Berisha thirri në protestë mbështetësit e tij

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Salih Berisha.

Gjykata e Lartë në Shqipëri pritet të vendosë sot se kujt i takon vula, logoja dhe drejtimi i Partisë Demokratike. Çështja është dërguar në Gjykatën e Lartë nga grupimi i Rithemelimit i Sali Berishës.

Kjo kërkesë është dorëzuar për vendimin e 3 marsit, kur Apeli i Përgjithshëm ktheu për shqyrtim në Gjykatën e shkallës së parë çështjen e logos dhe të vulës së Partisë Demokratike. Në pritje të këtij vendimi, Sali Berisha thirri në protestë mbështetësit e tij.

Në fjalën e tij para protestuesve, Berisha tha se edhe Gjykata e Lartë është një vegël në duart e kryeministrit Edi Rama, ndërsa më së shumti foli për hetimet ndaj tij për rastin “Partizani” sesa për përplasjen brenda PD-së për vulën dhe logon.

“Kjo nuk është betejë e Sali Berishës, ndonëse unë po burgosem në mënyrën më të padrejtë. Kjo është betejë për lirinë e shqiptarëve, për dinjitetin e tyre apo nënshtrimin e tyre”, tha Berisha, shkruan Rel.

Për mbarëvajtjen e protestës ishin angazhuar forca të shumta të policisë pranë Gjykatës së Lartë.

Berisha u ul për disa minuta në trotuarin para Gjykatës së Lartë, dhe më pas marshoi bashkë me mbështetësit e tij drejt selisë së Partisë Demokratike, apo siç njihet selia e Rithemelimit.

Po sot, Gjykata e Posaçme pritet të vendosë për kërkesën e Prokurorisë së Posaçme të Shqipërisë (SPAK), për arrestimin e Berishës për rastin “Partizani”.

Në kërkesë specifikohet se kërkohet “arrest shtëpie”, se duhet të ruhet me punonjës policie, dhe i ndalohet komunikimi me këdo tjetër pos personave me të cilët jeton në banesën e tij në rrugën “Mustafa Matohiti” në Tiranë.

Para mbështetësve në selinë e partisë që ai drejton, Berisha tha se “askush dhe asgjë nuk më ndan nga ju”. Më pas hyri në selinë e partisë, ku pret vendimin e Gjykatës së Posaçme.

Kuvendi i Shqipërisë më 21 dhjetor votoi në favor të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme të Shqipërisë (SPAK), për t’ia hequr imunitetin e deputetit ish-kryeministrit Sali Berisha, duke i hapur rrugën arrestimit të tij nën dyshimin për korrupsion.

Prokurorët u kërkuan ligjvënësve javën e kaluar t’ia heqin Berishës imunitetin parlamentar, sepse ai nuk i ishte përmbajtur urdhrit për të raportuar në SPAK çdo dy javë dhe për të mos u larguar nga vendi, derisa po hetohej për korrupsion.

Me 75 vota në favor, Kuvendi e miratoi kërkesën për t’ia hequr Berishës imunitetin parlamentar të enjten.

Për çfarë akuzohet Berisha?

Berisha, 79 vjeç, u akuzua në tetor se e kishte abuzuar pozitën e tij duke e ndihmuar dhëndrin Jamarbër Malltezi të blejë tokë në Tiranë, e cila ishte në pronësi të qytetarëve dhe të Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe t’i ndërtojë 17 ndërtesa banimi në atë tokë.

Berisha dhe Malltezi i kanë hedhur poshtë akuzat, duke pretenduar se rasti ndaj tyre është i nxitur nga partia në pushtet e kryeministrit Edi Rama, Partia Socialiste.

Prej tetorit, deputetët e Partisë Demokratike në opozitë i kanë penguar vazhdimisht seancat e Kuvendit për ta penguar, siç e quajnë ata, sundimin tejet autoritar të socialistëve.

Berisha shërbeu si kryeministër i Shqipërisë nga viti 2005 deri më 2013, si dhe si president nga viti 1992 deri në vitin 1997.

Shtetet e Bashkuara në maj 2021 dhe Britania e Madhe në korrik 2022 ia ndaluan Berishës dhe familjarëve të tij të afër të udhëtojnë në këto dy vende, për shkak të dyshimeve të përfshirjes së tij në korrupsion.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika