Gjykata e Shkallës së parë në Shkodër, të hënën e nëntë janarit, e ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg”, për 32-vjeçaren me inicalet O.G., e cila hodhi tragjikisht foshnjën e saj në lumin Kir.
Policia e Shkodrës njoftoi zyrtarisht se shtetasja, e cila ishte banuese në fshatin Myselim, e ka hedhur trupin e foshnjës në lumë mbrëmjen e 6 janarit dhe është larguar nga vendngjarja.
Gjatë seancës gjyqësore, 32-vjeçarja zgjodhi të mos flasë, ndërsa avokatja e saj kërkoi ndryshimin e veprës penale nga vrasje në rrethana të tjera cilësuese, në vrasje e të miturve.
Por, kjo kërkesë u refuzua nga gjykatësi.
“Zonja ka refuzuar regjistrimin e atësisë së fëmijës. Ne kemi një protokoll për këtë proces. Ka rezultuar me një lindje normale në 30 janar, mashkull 3 kilogramë e 250 gramë. Zonja ka kërkuar dorëzimin në shtëpinë e foshnjës”, ka thënë drejtori i maternitetit të Shkodrës, Senad Halluni.
Ajo është mbrojtur në seancën gjyqësore nga avokatja Bruna Pepa, e caktuar kryesisht nga gjykata.