Arrest me burgim në afat prej 40 ditësh i ka caktuar Gjykata e Tiranës për ish-ushtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Dritan Goxhaj, raporton Euronews.
Goxhaj u arrestua dy ditë më parë [te hënën] nga Policia e Tiranës, pasi akuzohet për intimidim të dëshmitarëve nga Gjykata Speciale me seli në Hagë.
Autoritetet e Shqipërisë kanë kërkuar informacion shtesë nga Kosova në lidhje me akuzat e ngritura në ngarkim të ish-ushtarit të UÇK-së.
Vetë Goxhaj ka pretenduar se nuk ka bërë asgjë të paligjshme përveç disa shkrimeve në rrjete sociale.
Arrestimi i Goxhajt mësohet se është bërë pasi ndaj tij rëndon akuza se ka nxjerrë emrat e dëshmitarëve në disa çështje penale, të ngritura pas luftës në Kosovë.
Ai është djali i ish-zv.shefi i Shtabit të UÇK dhe kolonelit të njohur nga Shqipëria, Dilaver Goxhaj.
Kolonel Goxhaj iu bashkua vullnetarisht luftës në Kosovë, ku si një ushtarak me eksperiencë ndihmoi në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Gjatë luftës së Kosovës, edhe i biri Dritan Goxhaj iu bashkua UÇK-së si oficer i Ushtrisë Shqiptare në shkollën e aviacionit dhe ka pasur autorizimin e Shtabit të Përgjithshëm që të mbante kontakte me komandën e forcave amerikane në Shqipëri.
Ky është urdhërarresti i radhës nga Gjykata Speciale për ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.