Në zyrën e vogël të gjyqtarit, Ardis Dumani, është mbajtur një prej seancave në Gjykatën Komerciale.
Kështu, në mungesë të gjykatoreve, Gjykata më e re në vend në të gjitha rastet seancat po i mbanë në zyrat e gjyqtarëve.
“Hap seancën përgatitore në konfliktin administrativ të paditësit KESCO, kundër të paditurës ZRRE”, ka hapur seancën gjyqtari Ardis Dumani.
Për shkak të hapësirës, në këtë seancë morën pjesë vetëm pesë persona.
E një prej lëndëve të para që po e shqyrton Gjykata Komerciale, është një padi që KESCO e ka dorëzuar kundër ZRRE-së, në lidhje me disa shpenzime të energjisë elektrike, të cilat nga KESCO po vlerësohet se duhet faturuar.
Lënda nuk është shumë voluminoze, prandaj shpejtë kalohet në fjalën përfundimtare.
“Nuk është dhënë një shpjegim nga ZRRE-ja se çka të bëhet me kilovatët e shpenzuar, kur dihet teknikisht se nuk mund t’i anashkalojmë dhe të mos i faturojmë”, ka thënë Shpresa Musliu nga KESCO.
“I propozojmë Gjykatës që padinë e paditësit ta refuzoj si të pabazuar”, ka deklaruar Vlora Krasniqi nga ZRRE
Për këtë rast, aktgjykimi do të shpallet ditëve në vijim.
Mungesën e hapësirave për mbajtjen e seancave, e kritikojnë edhe nga shoqëria civile.
“Nuk është e hijshme që seancat të mbahen nëpër zyret e gjyqtarëve dhe definitivisht se ato duhet të mbahen në sallat e gjykimeve. Për këtë arsye, fillimisht edhe Këshilli Gjyqësor duhet që ta kryejë punën e vet, mirëpo edhe i njëjti Këshill duhet të përkrahet me buxhet në mënyrë që të ketë mundësi për zhvillimin e hapësirave”, ka thënë Gzim Shala nga IKD.
Gzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thekson se funksionalizimi i Gjykatës Komerciale pritet t’u zgjidhë shumë problem bizneseve.