Gjykata Themelore e Prishtinës ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prishtinës për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj shefit të asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje Gëzim Sveçla.
Vendimi u mor gjatë së mërkurës, duke e lejuar të pandehurin të mbrohet në liri.
Incidenti që çoi në këtë proces penal ndodhi më 9 dhjetor, gjatë një seance të Kuvendit të Komunës së Prishtinës, ku po diskutohej miratimi i buxhetit për vitin 2025.
Sipas njoftimit të Gjykatës, Sveçla dyshohet se ka dëmtuar mikrofonin e vendosur në tavolinën e kryesuesit të Kuvendit, me qëllim ndërprerjen e seancës. Ky akt dyshohet se i ka shkaktuar dëm material pronës publike, konkretisht Kuvendit të Komunës së Prishtinës.
“Gjyqtarja e Procedurës Paraprake ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë të datës 10.12.2024, për caktimin e masës së arrestit shtëpiak dhe i pandehuri G.S lirohet të mbrohet në liri. Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri me datë 09.12.2024 rreth orës 10:45, në sallën e Kuvendit të Komunës së Prishtinës, në momentin që anëtarët e Kuvendit të Komunës largohen nga salla për një pushim (pauzë), i pandehuri G.S anëtar i Kuvendit të Komunës së Prishtinës, me qëllim të ndërprerjes së seancës së Kuvendit të Komunës, e që si pikë e rendit të ditës ishte edhe miratimi i buxhetit të Komunës së Prishtinës për vitin 2025, me dashje e ka dëmtuar pasurinë e personit tjetër respektivisht pronën publike (mikrofonin) e vendosur tek tavolina e Kryesuesit të Kuvendit të Komunës, me ç’ rast të dëmtuarës Kuvendit të Komunës së Prishtinës i ka shkaktuar dëm material.
Gjykata pas dëgjimit të palëve dhe analizimit të kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak, konstatoi se kërkesa për caktimin e masës së arrestit shtëpiak për të pandehurin G.S. është e pabazuar dhe shkon përtej qëllimit të masave për sigurimin e pranisë së të pandehurve në procedurë, pengimin e rikryerjes së veprës penale dhe për zbatimin e suksesshëm të procedurës dhe meqenëse nuk janë plotësuar kushtet për caktimin e masës së propozuar dhe as të ndonjë mase tjetër më të butë, gjykata vendosi që i pandehuri G.S. të mbrohet në liri”, thuhet në njoftim.