Ankesa e biznesmenit Aziz Tafa, kundër Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) për rastin e “AgroKosova Holding” është miratuar, ku Tafa për Portalin D ka thënë se informacionin për miratimin e ankesës e ka marrë para pak orësh.
Në një aktgjykim të shpallur gjatë ditës së mërkurë, Supremja ka dhënë urdhër për AKP-në që të kthejë rastin në gjendjen e mëparshme dhe ka dhënë urdhër që të ekzekutojë këtë vendim brenda disa ditësh.
Agjensia Kosovare e Privatizimit, kishte marrë vendim gjatë muajit janar më saktë më datë 31 janar për tërheqjen e aksioneve dhe vendosje nën administrim të drejtpërdrejtë të ndërmarrjes së re të AgroKosova Holding (ish- Ndërmarrja Shoqërore “NBI Suhareka”).
Por, si pasojë e ndërhyrjeve të autoriteteve shtetërore, ky vendim i Bordit të AKP-së u ekzekutua pas katër ditësh, më datë 3 shkurt.
Për këtë proces Tafa është shprehur për Portalin D se nuk mund ta dijë a është vonuar apo jo sepse këto procedura janë më të komplikuara.
Përmes një spin-offi special, biznismeni Aziz Tafa e kishte privatizuar “AgroKosova Holding” në vitin 2007.
Megjithëse, me rastin e ekzekutimit të vendimit të Bordit të AKP-së për marrjen nën administrim direkt të ndërmarrjes, Tafa kishte thënë se nuk do t’ia dorëzonte shtetit pronën e ndërmarrjes.
Pasi sipas tij asnjë shtet nuk e ka kërkuar pronën e ndërmarrjes që të i’a dorëzonte.
Sipas tij, vendimi i AKP-së është konsideruar si i kundërligjshëm dhe për këtë e kanë bërë padinë, dhe kërkesën për një vendim.
“Ky nuk është proces i përfunduar, por është në vazhdim e sipër” shtoi Tafa.
“Ata kanë kërkuar që ta dorëzojnë vullnetarisht, por nuk do ta dorëzojmë, s’kemi pse, s’kemi kujt. Nuk kanë pasur të drejtë ta marrin këtë vendim”, është shprehur ai.
Përndryshe një kallëzim penal ndaj AKP-së është dorëzuar nga avokati i kompanisë “AgroKosova Holding” në fillim të muajit shkurt.