Gjykata Speciale ua vazhdon masën e paraburgimit Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit

Michael Doyle, zëdhënës i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, përmes informimit javor të DhSK-së për medie në platformën ‘zoom’, të enjten, ka deklaruar se Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) kanë vazhduar masën e paraburgimit për Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.

‘‘Në të njëjtën çështje gjyqësore, trupi gjykues më 17 maj 2023 urdhëroi vazhdimin e paraburgimit të Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit me vendim përkatës për secilin’’, tha Doyle, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.

Tutje, ai tha se trupi gjykues ka konstatuar se ekziston ende rreziku që Krasniqi dhe Selimi mund të pengojnë ecurinë e procesit gjyqësor ose të kryejnë krime të tjera kundër atyre që konsiderohen se janë kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë edhe dëshmitarët që kanë dhënë ose do të japin dëshmi në çështjen gjyqësore dhe/ose priten të paraqiten para Dhomave të Specializuara.

Paraprakisht, ai tha se në gjykimin Hashim Thaçi dhe të tjerët, dëshmitari i pestë, i gjashtë dhe i shtatë të thirrur nga Prokuroria, kanë përfunduar dëshminë e tyre këtë javë.

‘‘Një pjesë e dëshmive u dha në seancë private dhe një pjesë në seancë publike. Vendimi i trupit gjykues për t’i mbajtur disa pjesë të gjykimit në seancë private merret rast pas rasti dhe arsyeja kryesore është mbrojtja e sigurisë dhe të identitetit të dëshmitarëve dhe viktimave’’, tha ai.

Po ashtu, i njëjti tha se me mbarimin e dëshmisë së dëshmitarit të shtatë të martën, seancat gjyqësore përfunduan për këtë javë dhe do të rifillojnë të hënën më 12 qershor në orën 09:00.

Doyle tha se në këtë çështje gjyqësore, më 18 maj trupi gjykues miratoi pjesërisht mocionin e përbashkët të ekipeve të mbrojtjes, me të cilin, i kërkuan trupit gjykues që të bëjë konstatim gjyqësor për disa fakte të gjykuara më parë nga Gjykatat në Kosovë dhe TPNJ.

‘‘Rregullorja e lejon këtë për të shkurtuar kohën që nevojitet për paraqitjen e provave që lidhen me faktet e gjykuara më parë në procese të tjera gjyqësore. Prokuroria mund të paraqesë gjatë gjykimit prova që kundërshtojnë saktësinë e këtyre fakteve nëse dëshiron’’, tha ai.

Ndërsa, më pas, ai tha se më 18 maj, kryetarja e DhSK-së, Ekaterina Trendafilova, caktoi panelin e Gjykatës së Apelit për të shqyrtuar apelin e paraqitur nga z. Thaçi, z. Selimi dhe z. Krasniqi, lidhur me pyetjen e një dëshmitari nga trupi gjykues e që paneli i Apelit përbëhet nga gjykatësit Michele Picard, Kai Ambos e Nina Jorgensen.

Kurse tha se më 23 maj, trupi gjykues miratoi kërkesën e Prokurorisë për të shtuar pesë materiale që lidhen me dëshmitarë ekspertë në listën e provave materiale të kësaj çështjeje gjyqësore.

‘‘Ndër to janë një akt ekspertize forenzike e ADN-së dhe një analizë e ADN-së së përditësuar, lidhur me një viktimë të vrarë që përmendet me emër në aktakuzë. Lista e ndryshuar e provave materiale të Prokurorisë duhet të dorëzohet deri më 30 maj 2023’’, tha Doyle.

Në vazhdim, Doyle tha se gjykimi i Pjetër Shalës rifillon të martën më 30 maj në orën 09:30.

Ai tha se ekipi i programit për ndërgjegjësim dhe komunikim të DhSK-së ndodhet në Kosovë këtë javë, për t’u takuar me studentë dhe shoqëri civile në Prishtinë dhe Mitrovicë.

‘‘Që prej vitit 2018, ky ekip ka takuar më shumë se 3 mijë vetë në të gjithë Kosovën, të cilëve u ka dhënë informacion mbi gjykatën, si dhe ka dëgjuar mendimet dhe u janë përgjigjur pyetjeve të tyre’’, përfundoi ai./BetimiperDrejtesi

Shija e redaktorit

Gjeneral Jashari takohet me Shefen e Mbrojtjes së Forcave të...

Gjatë vizitës zyrtare në Kanada, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zhvilloi një takim bilateral me Shefen e Mbrojtjes së...

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Të fundit nga rubrika