Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, edhe të mërkurën e 19 korrikut do të vazhdojë seanca në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Sipas njoftimit, seanca pritet të fillojë në orën 09:00.
Në seancën e së martës ishin dëshmitarë, Rrustem Mustafa, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Zonën Operative të Llapit, po vazhdon të përgjigjet në pyetjet e trupit gjykues dhe Francis Ladwidge, oficeri britanez që shërbeu në Kosovë.
Gjatë dëshmisë së oficerit britanez, seanca ka kaluar në sesion privat në 3 periudha të shkurtra kohore.
Ndërsa, i njëjti do të vazhdojë me dëshminë e tij edhe gjatë ditës së nesërme, e që pritet edhe ta përfundojë.
Ndryshe, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi ishin të pranishëm fizikisht në sallën e gjyqit gjatë seancës të së martës.
Gjatë muajit prill ka filluar gjykimi, derisa në seancën e 3 prillit Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtësi i viktimave kanë paraqitur deklarimet hyrëse dhe pas leximit të aktakuzës së ndryshuar nga ana e ZPS-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që u vihen barrë.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.