Në gjykimi ndaj Dejan Pantiq, Milun Milenkoviq, Aleksander Vlajiq dhe Miomir Vakiq për sulmin terrorist ndaj zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor (KKZ) në Mitrovicën e Veriut në dhjetor të 2022-ës, dëshmitari Slobodan Dimitrijeviq deklaroi se për atë sulm kishte kuptuar nga mediet.
“E kam parë në medie, televizion”, tha Dimitrijeviq.
Dimitrijeviq tha se ka qenë udhëheqës i zyrës së KKZ-së, por që më 15 nëntor 2022 ka dhënë dorëheqje. Andaj, sipas tij, në ditën kritike të 6 dhjetorit 2022, nuk ka qenë në punë.
Të akuzuarin Vlajiq, dëshmitari tha se e ka fqinj dhe se shtëpia e Vlajiqit është diku 400-500 metra larg KKZ-së.
Gjithashtu, Dimitrijeviq përmendi një rast për të cilin tha se ndodhi derisa ka qenë duke punuar në zyrat e KKZ-së, kur në mëngjes kishte shkuar për të filluar punën e kishte parë xhamin e thyer të zyrës me gurë, për çka edhe kishte lajmëruar policinë dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Dimitrijeviq tha se nuk ka njohuri se kush e ka bërë dhe as nuk e di se a është zhvilluar ndonjë procedurë penale lidhur me këtë ngjarje.
Dëshmitari pohoi se ka pasur biseda të shkruara me Vlajiq, ku ky i fundit tha se i ka dërguar në aplikacionin Viber një foto të xhamit të thyer të zyrave të KKZ-së.
Prokurori special, Bekim Kodraliu e pyeti se cila është arsyeja që ka dhënë dorëheqje nga pozita e udhëheqësit të KZZ, kurse Dimitrijeviq tha se për arsye personale. Por, që prokurori deklaroi se nuk është bindës ky argument.
Gjithashtu, prokurori Kodraliu gjatë deklarimeve të Dimitrijeviq tha se i njëjti gënjeu kur ka deklaruar se e ka parë me veturë të tipit “Sava” të akuzuarin Vlajiq, pasi që dëshmitari tjetër në seancë të mbyllur ka deklaruar se e ka parë me veturën të tipit “Fiat”.
Për këtë, dëshmitari Dimitrijeviq reagoi duke thënë se para se të japë dëshminë është betuar se do të deklarojë të vërtetën, andaj sipas tij nuk e kupton se përse deklaroi prkurori në atë formë.
Në seancën fillestare të mbajtur më 30 janar 2024, të akuzuarit Dejan Pantiq, Milun Milenkoviq, Aleksander Vlajiq dhe Miomir Vakiq janë deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzën që iu vihet në barrë.
Në aktakuzën të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi” thuhet se Pantiq, Milenkoviq, Vlajiq dhe Vakiq më 6 dhjetor 2022, në ora 14:39, kishin kryer sulmin terrorist ndaj zyrave të KKZ-së, duke hedhur granata dore dhe shok bomba. Aktakuzën e plotë mund ta lexoni duke klikuar KËTU.
Më 13 dhjetor 2023 PSRK kishte njoftuar për ngritjen e aktakuzës për Pantiq dhe tre të tjerët.
Më 12 dhjetor 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë caktoi një muaj paraburgim ndaj ish-policit serb, Dejan Pantiq, ndërsa më 28 dhjetor 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë ia zëvendësoi masën e paraburgimit me arrest shtëpiak.
Pantiq ishte arrestuar më 10 dhjetor 2022 në pikëkalimin kufitar në Jarinjë, ndërsa arrestimi i tij kishte nxitur reagime nga pala serbe, e që u pasua me vendosjen e barrikadave në pika kufitare. /BetimipërDrejtësi