Në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, të enjten ka filluar të dëgjohet dëshmia e dëshmitares të 17-të me radhë në këtë çështje, me kodin 00772, Dragica Bozhaniq.
Ajo ka filluar të përgjigjet në pyetjet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndryshe, Krasniqi dhe Thaçi janë duke e përcjellë seancën përmes video-lidhjes, ndërsa Selimi dhe Veseli janë të pranishëm në sallë.
Paraprakisht, është bërë një diskutim lidhur me mënyrën e paraqitjes së dokumenteve shtesë në listën e dokumenteve të palës thirrëse, por që gjykatësi Charles Smith tha se do të lejojmë të kalohet pak kohë dhe të mendohet për zgjidhjen e kësaj çështjeje.
Ndërkaq, nga ana e ZPS-së është kërkuar të kalohet në sesion privat për një kohë, në mënyrë që të diskutohet edhe një çështje tjetër.
Tani, pas dhënies së betimit, seanca po vazhdon në sesion publik me dëgjimin e dëshmitares Bozhaniq.
Dëshmia e saj pritet të zgjasë gjatë tërë ditës së sotme.
Gjatë muajit prill ka filluar gjykimi derisa në seancën e 3 prillit, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtësi i viktimave kanë paraqitur deklarimet hyrëse dhe pas leximit të aktakuzës së ndryshuar nga ana e ZPS-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që u vihen barrë.
Më 4 prill, mbrojtja e Thaçit, e Veselit dhe e Selimit kanë dhënë fjalën hyrëse, derisa më 5 prill mbrojtja e Krasniqit ka dhënë fjalën hyrëse.
Më 11 prill ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku dëshmitarja e parë e mbrojtur e Prokurorisë ka dhënë dëshminë e saj më 11 prill, 12 prill, 13 prill dhe më 17 prill.
Më 17 prill ka filluar dëgjimi i dëshmitarit të dytë, po ashtu i mbrojtur, i cili ka vazhduar dhënien e dëshmisë edhe më 18 prill, 19 prill dhe 20 prill, ku ka përfunduar dhënien e dëshmisë edhe dëshmitari i tretë, kurse më 10 maj ka filluar dhënien e dëshmisë dëshmitari i katërt, dëshmia e të cilit përfundoi më 17 maj.
Tutje, dëshmitari i pestë ka filluar dëshminë më 17 maj dhe e përfundoi më 22 maj, ku filloi dëshminë dëshmitari i gjashtë, i cili përfundoi dëshminë më 23 maj, në të njëjtën ditë me dëshmitarin e shtatë.
Kurse, më 12 qershor ka filluar dëshminë e tij dëshmitari i tetë, i cili përfundoi dëshminë e tij më 14 qershor, ndërkaq më 15 qershor ka përfunduar dëshmia e dëshmitarit të nëntë.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.