Epilogu përfundimtar në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, nuk duket të jetë shumë afër.
Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, nuk ka shkurtuar kohën për paraqitjen e provave.
Ashtu siç kishte qenë që nga fillimi, ZPS-ja do përfundoj me provat e saj në prill të vitit të ardhshëm.
Pas kërkesës së Dhomave të Specializuara, ZPS-ja ka nxjerrë një parashtresë, me të cilën ka njoftuar të premten se nuk do të mbështetet në deklaratat e 12 dëshmitarëve në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Ndërkohë që në njërën nga konferencat mbi ecurinë e çështjes, e mbajtur muajin e kaluar, ZPS kishte njoftuar se kanë mbetur edhe 65 dëshmitarë për tu dëgjuar në gjykatë, e planifikohej që mbi 50 dëshmi të dorëzoheshin me shkrim.
Sipas avokatit të akredituar nga Specialja, Taulant Hodaj, ky veprim i ZPS-së pritet të ndikojë që procesi gjyqësor të përfundojë më shpejt sesa që planifikohet.
“Dhe është konform afatit që i ka përcaktuar trupi gjykues, prokurorisë që të kryej dëshmitarët e tyre deri në mars, prill të vitit të ardhshëm. Dhe nëse shkon me këtë tempo pritet që të përfundojë të gjithë dëshmitarë dhe në këtë drejtim prokuroria e ka shkurtuar listën në mënyrë që t’i përmbahet këtij afati. Kjo normal se mund ta shkurtoj kohën për përfundimin e gjykimit, dhe pas dëshmitarëve të prokurorisë është radha për dëshmitarë të mbrojtjes dhe pritet që deri në fund të vitit të ardhshëm të përfundojë ky gjykim”, ka thënë Taulant Hodaj – Avokat.
Njëjtë mendojnë edhe dy avokatë të tjerë, të cilët po ashtu vlerësojnë se procesi është duke u stërzgjatur.
“Shkon në funksion të shkurtimit të procedurë se tashmë është e konfirmuar se është e stërzgjatur meqë është detyrë e prokurorit që të përkujdeset që të sigurojë prova fajësuese, e edhe shfajësuese. Vlerësoj se pala mbrojtëse duhet të analizojë me kujdes këto dëshmi në rast se janë relevante dhe më tepër nëse shkojnë në favor të të akuzuarve në këtë proces gjyqësor”, ka thënë Ardian Bajraktari – Avokat.
“Një gjë e tillë ndikon në përshpejtimin e procesit gjyqësor, pra sa më pak dëshmitarë aq më shumë i afrohemi fjalës përfundimtare të cilët do ta jepin palën në fund të procesit gjyqësor, e cila duhet të kulmoj edhe me shpalljen e vendimit më pas, ndërkaq përfundimi i një procesi gjyqësor në kohë sa më të shpejte dhe më të arsyeshme është rregull dhe parim që duhet të zbatohet”, ka thënë Meshari Selimaj – Avokat.
Edhe në të kaluarën ZPS-ja ka hequr dorë nga disa dëshmi të dëshmitarëve, e po shumë të tjera janë dorëzuar me shkrim. Procesi gjyqësor ndaj Thaçit, Veselit, Selimit e Krasniqit ka nisur në prill të vitit 2023, derisa në paraburgim janë që nga viti 2020.