Gjykimi i Çedomit Aksiq, i akuzuar për krime lufte në Kosovë, zgjati pak më shumë se 1 vit, por ai nuk ishte prezentë asnjëherë.
Aksiq ishte personi i parë, ndaj të cilit në nëntor të 2023, nisi gjykimi në mungesë, e është i pari ndaj të cilit gjykata në Prishtinë, shpall aktagjykim. Ai u dënua me 15 vjet burgim, për krime lufte në fshtra të komunës së Shtimes.
“I pandehuri me gurpin e tij, në ato momente ka shtënë me armë edhe në drejtim të tyre, ku tre persona kanë mbetur të vrarë në vend.. I pandehuri Çedomir Aksiq është fajtor.. andaj gjykata i shqipton dënim me burgim me kohëzgjatje prej 15 viteve i cili vendim do të ekzekutohet në momentin që bëhet i plotfuqishëm”, ka thënë kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani-Hajra.
Aksiq është shpallur fajtor për vrasje, cenim të integritetit trupor dhe shëndetit të popullatës civile të pambrojtur dhe dëbim të popullatës civile në fshatrat e Shtimes Mollopolc, Petrovë e Reçak.
Prokuroria Speciale e Kosovës, e ka akuzuar të njëjtin edhe për një numër vrasjesh gjatë luftës, përfshirë edhe pjesëmarrjen në masakrën e Reçakut.
Mundësia e gjykimeve në mungesë është përfshirë në Kodin e Procedurës Penale të vitit 2019, ndërkohë që ndryshimet u bënë gjatë viteve 2021-2022.
Aktakuza e parë në mungesë u ngrit në vitin 2023, për të vazhduar me ngritjen e dhjetëra aktakuzave të tjera, ndaj serbëve që nuk kanë qenë të arritshëm për organet e drejtësisë.