Gjykimi në mungesë për krimet e luftës, Blakaj: Të dënuarit mund të kërkojnë rigjykim, humb kohë e resurse

Gjykimi në mungesë në rastet e krimeve të luftës, sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, të dënuarit mund të kërkojnë rigjykim dhe kjo humb kohë e resurse

Bekim Blakaj, drejtori i Fondit për të Drejtën Humanitare

Gjykimi në mungesë në rastet e krimeve të luftës po vlerësohet se do të jenë me shumë sfida dhe që nuk do të kenë efektin e duhur nga Fondi për të Drejtën Humanitare.

Sipas tyre, kjo formë bie në ndesh me të drejtat e të akuzuarve që të mbrojnë vetveten, pavarësisht se ai përfaqësohet nga një avokat. Sipas këtij Fondi, edhe nëse dikush dënohet në mungesë sipas ligjit, në momentin që ai arrestohet për të vuajtur dënimin, ai ka të drejtë automatikisht që të kërkojë rigjykim.

Bekim Blakaj, drejtori i Fondit për të Drejtën Humanitare, ka thënë se Fondi që nga fillimi nuk ka përkrahur gjykimet në mungesë, kjo pasi, sipas tij, kjo formë ka edhe probleme në praktikë.

Ai ka thënë se kjo formë nuk do të japë efektin e duhur, sepse edhe nëse ata dënohen në mungesë, përgjegjësit nuk e mbajnë dënimin.

“Që në fillim Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë nuk e ka përkrahur gjykimin në mungesë për shumë arsye. Janë ato arsye sepse bien në ndesh me të drejtat e të akuzuarve me mbrojt vetveten, pra me qenë prezent në gjykatë. Nga ana tjetër, ka edhe probleme praktike me ato që janë ballafaquar edhe Prokuroritë në Kroaci, të cilat në fakt kanë ngritur aktakuza, janë zhvilluar gjykimet në mungesë edhe shumë prej tyre kanë përfunduar para Gjykatës Evropiane për të drejta e njeriut dhe shteti i Kroacisë i ka humbur ato. Nuk besoj që do të ketë një efekt të duhur tek e fundit, edhe në rast se prokurori sjell prova të mjaftueshme edhe në mënyrë meritore, të pandehurit dënohen në mungesë prapë, ata nuk janë që përgjigjen para drejtësisë, respektivisht nuk e mbajnë dënimin e tyre edhe pse në fillim do të duket si lehtësim për familjet e viktimave”, ka thënë Blakaj për EO.

Sipas Blakajt, ndër sfidat që do ta përcjellin këtë proces janë mosdhënia e deklaratave të të pandehurit.

Sipas tij, ligji parasheh që në çfarëdo rrethane nëse dikush dënohet në mungesë, në momentin që ai arrestohet ka të drejtë automatikisht që të kërkojë rigjykim, e kjo do të konsumonte kohë, resurse dhe mund të sjellë probleme.

“Sfidat e para me të cilat do të ndeshet gjyqësore është se nuk mund ta marrin një deklaratë nga të pandehurit, pra nuk do të japin deklaratën ata vetë. Nuk do të kenë mundësi as të deklarohet të fajshëm apo të pafajshëm. Nga ana tjetër, ndoshta Prokuroria do ta ketë të lehtë të sjellë dëshmitarë të ndryshëm, të cilët nuk do të sfidohen nga mbrojtja e të pandehurve, edhe pse ata do të kenë një avokat në detyrë zyrtare, mirëpo sigurisht mbrojtja efektive nuk është e njëjtë me avokatë sipas detyrës zyrtare. Përfundimisht të pandehurit nuk mund të parashtrojnë pyetje, as të ofrojnë alibi në këtë proces”, ka thënë Blakaj.

“Çështja tjetër është se ligji e parasheh që në çfarëdo rrethane nëse dikush dënohet në mungesë në momentin që arrestohet për me mirëmbajt dënimin, ai ka të drejtë automatikisht që të kërkojë rigjykim. Pra, do të zhvillohet gjykimi nga fillimi. Konsumohet tepër kohë edhe resurse dhe kjo mund të sjellë probleme. Përfundimisht, nëse aktgjykimi në prezent të akuzuarve përsëritet, procesi do të jetë i ndryshëm me atë në mungesë, atëherë kjo do të tregojë që ekziston mundësia që dikush të dënohet edhe pa qenë fajtor”.

Ai ka shtuar se deri më tani nga Prokuroria Speciale janë dorëzuar gjashtë aktakuza, ku sipas tij, shumica dërrmuese prej të akuzuarve janë shtetas serb.

“Nëse nuk gaboj deri më tani janë të dorëzuar gjashtë aktakuza nga Prokuroria Speciale e Kosovës në atë Dhomën Speciale pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, pra gjashtë aktakuza nëse nuk gaboj, bëhet fjalë për gjashtë persona. Ne nuk e dimë saktësisht identitetin e tyre, sepse ende janë me iniciale, mirëpo po supozojmë që shumica dërrmuese prej tyre janë serbë”, është shprehur ai.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika