Gjykimi për vrasjen e Gazmend Hysenit, çfarë thanë 3 dëshmitarët?

Në gjykimin e Qëndrim Januzit, i akuzuar për vrasjen e Gazmend Hysenit në maj të vitit të kaluar, tre dëshmitarë janë dëgjuar gjatë ditës së djeshme në gjykim: Vehbi Hyseni (babai i viktimës), Betim Januzi (vëllai i të akuzuarit) dhe Arton Spahiu

Tre dëshmitarë janë dëgjuar në gjykimin e Qëndrim Januzit, i cili akuzohet për vrasjen e Gazmend Hysenit, vrasje që ka ndodhur në maj të vitit të kaluar.

Dëshminë gjatë ditës së djeshme e dhanë Vehbi Hyseni, babai i viktimës, Betim Januzi, i njohur si Buta, vëllai i të akuzuarit, dhe Arton Spahiu.

Vehbi Hyseni, i cili e ka edhe cilësinë e palës së dëmtuar në këtë çështje penale, dje rrëfeu në cilësinë e dëshmitarit për raportet e djalit të tij me të akuzuarin, si kishte mësuar për vrasjen e krejt çka ai ka njohuri për rastin.

Për vrasjen ai deklaroi se e kishte kuptuar nga djali i vëllait, pasi ishte kthyer nga Emergjenca, ku kishte qenë tashmë i ndjeri Gazmend Hyseni.

Raportet me të akuzuarin, babai i të ndjerit tha se kishin qenë shumë të afërta, por distancimi, sipas tij, kishte filluar pasi djali i tij kishte filluar të praktikonte fenë, dhe kishe hequr dorë nga disa dukuri negative.

Hyseni tha se djali i tij i kishte thënë se Qëndrimi e Betimi e kishin akuzuar për djegien e veturës, 2-3 muaj para ngjarjes kritike-atë të vrasjes.

“I kam 5 vajza, e kanë vra djalin e vetëm, ma kanë zhdukë familjen” – ishin shprehjet e tij gjatë dhënies së dëshmisë.

Kryesuesi i trupit gjykues, gjykatësi Habib Zeqiri, e njoftoi dëshmitarin Hyseni lidhur me të drejtën e tij që për ndjenjat e tij të deklarohej edhe gjatë fazave të tjera të procedurës, kurse gjatë kësaj seance iu kërkua të dëshmonte vetëm në bazë të asaj çka dinte në cilësinë e dëshmitarit.

Lidhur me çështjen e djegies së veturës, tjetër mendim kishte vëllai i të akuzuarit.

Para dëshmisë së tij, rep-këngëtari Buta i shprehu ngushëllime familjes Hyseni, të cilët ishin të pranishëm në seancë.

Ai para trupit gjykues, të përbërë nga Habib Zeqiri kryetar, e Ilir Bytyçi e Fitore Daci anëtarë, tha se kur kishte ndodhur djegia e veturës ai kishte qenë në koncert në Angli dhe nuk mendon se djegia ka qenë motiv i kësaj ngjarjeje.

“Djegia e veturës më shumë ka qenë çështje mediale” – u shpreh ai në seancë.

Ai u shpreh se viktima i kishte kërkuar para lidhur me një dënim që kishte pasur nga gjykata. Dëshmitari shpjegoi se shumën e parave nuk ia kishte dhënë, për shkak që nuk i ishte ofruar dëshmi mbi të hollat.

Sipas tij, në atë rast kishte qenë prezent edhe babai i të ndjerit.

Ai shtoi se nga tanimë i ndjeri, Gazmend Hyseni, kishte pranuar kërcënime të vazhdueshme, edhe me vdekje.

Kur pyetet nga prokurori i çështjes, Ismet Rrahmani, se pse nuk i kishte lajmëruar në polici këto kërcënime, Buta u shpreh se kishin frikë nga Gazmend Hyseni.

Deklarata e tij përmbante edhe detaje se si i kishte dëgjuar të shtënat e armëve dhe sirenat e policisë, duke treguar se distanca në mes të vendit të ngjarjes dhe banesës së dëshmitarit ishte më shumë se 50 metra.

Ngjarja po pretendohet se ka ndodhur në marketin e quajtur “Euro-market” në Ferizaj, ku dëshmitari Arton Spahiu u shpreh se ai vetë kishte qenë brenda marketit kur kishte dëgjuar krismat.

“Unë dhe Ramadani kemi qenë brenda marketit, kurse Gazmendi dhe Maliqi kanë qenë jashtë. Kur kemi dëgju krismat jemi mëshef, nuk e dijshim çka po ndodh. Kur kam dalë jashtë marketit e kam pa Gazmendin në tokë” – u shpreh Spahiu para Gjykatës.

Ai deklaroi se të ndjerin Gazmend Hysenin kishte 3 vjet që e njihte dhe nuk kishte raporte aq të afërta sa të bisedonin edhe për problemet ose gjërat që e shqetësonin.

“Derisa kemi shku te marketi, nuk kam vërejtur diçka të pazakontë, kemi bisedu lirshëm, normal”- shtoi ai.

Kurse, në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarit, avokatit Florin Vërtopi, se a kishte njohuri nëse Gazmend Hyseni kishte pasur armë atë natë, dëshmitari u shpreh se nuk ishte në dijeni për diçka të tillë.

“Çka keni lypë zotëri dëshmitar ju dhe të tjerët pas orës 24:00 këtyre rrugicave e jo rrugës kryesore?” – ishte pyetja që avokati Vërtopi i bëri dëshmitarit.

Ndaj kësaj pyetjeje reaguan pala e dëmtuar dhe prokurori i çështjes, me ç’rast gjykatësi Zeqiri refuzoi këtë pyetje me aktvendim, pasi Vërtopi tha se nuk ka mënyrë tjetër të riformulimit të pyetjes.

Seanca lidhur me këtë rast vazhdon nesër, kur do të bëhet administrimi i provave materiale.

Kujtojmë se i akuzuari nuk e kishte mohuar vrasjen, por nuk ishte pajtuar me cilësimin juridik që i kishte bërë Prokuroria.

Ai ngarkohet me veprën penale – vrasje e rëndë, dhe – armëmbajtje pa leje.

Në dosjen e Prokurorisë përshkruhet se më 28 maj 2022, rreth orës 00:53, në Ferizaj, para hyrjes së marketit “E… M…”, i pandehuri me dashje dhe përgatitje e ka privuar nga jeta Gazmend Hysenin, duke shtënë 6 herë në drejtim të tij me armë zjarri.

I akuzuari Qëndrim Januzi ndodhet në paraburgim që nga ndodhja e ngjarjes, me kërkesë të Prokurorisë.

Seanca për caktimin e paraburgimit ishte mbajtur në spitalin ku po qëndronte i dyshuari, për shkak se në natën kritike ishte goditur me plumb nga njëri nga policët, pas mosbindjes së urdhrave të tyre.

Plagosja e tij kishte ndodhur kur një njësi e policisë po kalonte në afërsi të vendit të ngjarjes meqë ishte duke bartur një të dyshuar për narkotikë, me ç’rast policët intervenuan në rastin në fjalë dhe pas mosbindjes e plagosën të dyshuarin Januzi.

Ndaj zyrtarit policor që ka kryer plagosjen e të dyshuarit, Inspektorati Policor i Kosovës kishte nisur hetimet./Kallxo.com

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika