Gjykimi për vrasjen e trefishtë në Gllogjan, njëri nga nxënësit që ishte në autobus dëshmon në Gjykatë

Seanca e sotme gjyqësore u mbajtë e mbyllur për publikun, pasi që ishte radha e një nxënësi që ishte duke udhëtuar në autobus për t’u dëgjuar si dëshmitar dhe i dëmtuar. Në atë kohë, ai ishte në moshën 16-vjeçare

Autobusi i sulmuar me armë zjarri në Gllogjan më 26.11.2021

Në Gjykatën e Pejës po vazhdon i mbyllur gjykimi ndaj të akuzuarve për rastin e vrasjes së trefishtë të ndodhur në fshatin Gllogjan më 26 nëntor të vitit 2021, ku humbën jetën 2 nxënës dhe shoferi i autobusit.

Autobusi që po qarkullonte në rrugët e fshatit me nxënës, ishte sulmuar me kallashnikov.

Për këtë ngjarje tragjike Prokuroria po akuzon Halil, Kastriot dhe Kreshnik Mehmetajn.

Seanca e sotme gjyqësore është mbajtur e mbyllur për publikun, pasi ishte radha e një nxënësi që ishte duke udhëtuar në autobus për t’u dëgjuar si dëshmitar dhe i dëmtuar. Në atë kohë, ai ishte në moshën 16-vjeçare.

Përveç këtij dëshmitari, gjykata e pa të arsyeshme ta mbyllë seancën edhe kur dëshmoi gruaja e shoferit të vrarë G.Gj.

Sipas dosjes së Prokurorisë, kjo vrasje është bërë për qëllime hakmarrëse ndaj G.Gj., duke e lidhur këtë vrasje me vetëvrasjen e ndodhur të H.M. në vitin 2020, e cila është bija e të akuzuarit Halil Mehmetaj.

Sipas Prokurorisë, për këtë vetëvrasje që kishte ndodhur në familjen Mehmetaj, këta të fundit e kishin fajësuar të ndjerin, shoferin G.Gj..

Halil Mehmetaj, sipas Prokurorisë, është betuar për hakmarrje te varri i vajzës së tij kur e ka varrosur, duke vënë orën e dorës së tij në arkivolin e vajzës.

Sipas dosjes, Kreshnik e Kastriot Mehmetaj kishin planifikuar vrasjen dhe kishin ndarë detyrat, për mënyrën dhe kohën e kryerjes së vrasjes, kurse babai tyre i kishte shtyrë në këto veprime.

Asnjëri nga të akuzuarit nuk e ka pranuar fajësinë për këtë.

Në këtë gjykim janë dëgjuar rrëfimet e prindërve të nxënësve të vrarë në natën kritike.

Beqë Hamzaj dhe Florim Mustafaj kanë dhënë rrëfimet e tyre për ngjarjen kritike që u humbi jetën fëmijëve të tyre.

Lidhur me hakmarrjen në fjalë për të cilën Prokuroria po dyshon si motiv të vrasjes, Beqë Hamzaj kishte thënë se vrasja e fëmijëve ishte bërë për ta mbuluar hakmarrjen.

Mbrojtja e të akuzuarve këtë motiv e kishte cilësuar si hetim të gabuar e veprime të ngutshme, duke u bazuar, sipas tyre, në spekulime dhe thashetheme të fshatit, të cilat e kanë orientuar gabimisht Prokurorinë në ndriçimin e rastit.

Tutje, familja e nxënëses së vrarë dhe familja Mehmetaj janë kushërinj mes vete.

Në fund të dëshmisë së Florim Mustafaj, i akuzuari Halil Mehmetaj kishte thënë se nuk po besonte se ai (Florimi) kishte ardhur për të dëshmuar kundër tij.

“Nuk po u besoj as syve e as veshëve që Florimin e kam në cilësinë e dëshmitarit kundër meje, se e kam vëlla” – ishte shprehur ai para gjykatës.

Për këtë rast, provat të cilat Prokuroria thotë se do ta mbështesë akuzën e saj janë dëshmitë e dëshmitarëve, provat materiale, ku përfshihen skica, kamera të sigurisë e përgjime të bisedave mes të akuzuarve.

Akuza përfaqësohet nga prokurorja e rastit, Sahide Gashi.

Rasti gjykohet nga trupi gjykues i përbërë nga Violeta Husaj-Rugova, Shaqë Curri dhe Leon Përlaska./Kallxo.com 

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika