Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, dëshmitari i 26-të në këtë çështje (me kodin 4644) do të dëshmojë për vrasjen e familjarëve të tij pas ndalimit të pretenduar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK-së).
Kjo është bërë e ditur pas leximit të përmbledhjes së deklaratës së tij për Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS) në seancën e së hënës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Prokurori tha se, sipas dëshmitarit, në fillim të 98-ës, anëtarë të UÇK-së kanë marrë me forcë dëshmitarin dhe disa anëtarë të familjes së tij nga shtëpia e tyre në fshatin ku jetonin dhe i quan në vende të ndryshme, ku i rrahën dhe i akuzuan se ishin tradhtarë dhe spiunë.
Tutje, tha se një nga vendet që i quan UÇK-ja dëshmitarin dhe anëtarët e familjes dhe të tjerë, sipas tij, kishte qenë bazë e UÇK-së.
Po ashtu, u tha se UÇK-ja e kishte liruar dëshmitarin dhe disa viktima në mes të natës dhe i kishte ndaluar disa të tjerë, ku ishin përfshirë edhe anëtarë të familjes së tij.
Më tej, prokurori tha se, sipas dëshmitarit, në deklaratë të tij u tha se në ditët në vijim anëtarë të familjes dhe disa viktima u gjetën të vrarë, ku dëshmitari kishte parë kufomat e tyre, në të cilat kishin qenë të dukshme shenja të keqtrajtimit të rëndë.
Sipas prokurorit, dëshmitari ende vuan nga ajo që ka ndodhur dhe kërkon drejtësi.
Paraprakisht, dëshmitari pohoi se ka dhënë dëshmi para ZPS-së në janar 2020 dhe se kishte bërë sqarime në seancën përgatitore, si dhe ato kanë pasqyruar saktë dëshminë e tij.
Andaj, u pranuan si prova nga trupi gjykues deklarata e mëparshme e dëshmitarit me provat shoqëruese të saj, shënimin përgatitor me të gjitha redaktimet si dhe disa prova të tjera, si një vendim i gjykatës, katër fotografi dhe dy certifikata të vdekjes të lëshuara nga UNMIK-u.
Seanca në këto momente po vazhdon në sesion privat për disa pyetje.
Ndryshe, së fundmi është pranuar një viktimë tjetër që të marrë pjesë në proces gjyqësor, ku deri më tash numri total i viktimave në këtë çështje ka arritur 141.
Ndryshe, gjatë muajit prill ka filluar gjykimi derisa në seancën e 3 prillit, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtësi i viktimave kanë paraqitur deklarimet hyrëse dhe pas leximit të aktakuzës së ndryshuar nga ana e ZPS-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që u vihen barrë.
Më 4 prill, mbrojtja e Thaçit, e Veselit dhe e Selimit kanë dhënë fjalën hyrëse, derisa më 5 prill mbrojtja e Krasniqit ka dhënë fjalën hyrëse.
Më 11 prill ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku dëshmitarja e parë e mbrojtur e Prokurorisë ka dhënë dëshminë e saj më 11 prill, 12 prill, 13 prill dhe më 17 prill.
Më 17 prill ka filluar dëgjimi i dëshmitarit të dytë, po ashtu, i mbrojtur, i cili ka vazhduar dhënien e dëshmisë edhe më 18 prill, 19 prill dhe 20 prill, ku ka përfunduar dhënien e dëshmisë edhe dëshmitari i tretë, kurse më 10 maj ka filluar dhënien e dëshmisë dëshmitari i katërt, dëshmia e të cilit përfundoi më 17 maj.
Tutje, dëshmitari i pestë ka filluar dëshminë më 17 maj dhe e përfundoi më 22 maj, ku filloi dëshminë dëshmitari i gjashtë, i cili përfundoi dëshminë më 23 maj, në të njëjtën ditë me dëshmitarin e shtatë.
Kurse, më 12 qershor ka filluar dëshminë e tij dëshmitari i tetë, i cili përfundoi dëshminë e tij më 14 qershor, ndërkaq me 15 qershor ka përfunduar dëshmia e dëshmitarit të nëntë.
Më 19 qershor ka përfunduar dëshminë dëshmitari i dhjetë, në ditën ku ka filluar dëshminë dëshmitari i 11-të, i cili e ka përfunduar dëshminë e tij më 20 qershor. E më 10 korrik ka filluar dëshminë dëshmitari i 12-të, i cili ka përfunduar dëshminë më 11 korrik, në seancën ku ka filluar dëshminë Rrustem Mustafa, ish-komandat i zonës operative të Llapit.
Mustafa ka vazhduar dhënien e dëshmisë së tij në seancën e 12, 13, 14, 17 dhe 18 korrikut.
Ndërsa, dëshmitari i 14-të me radhë, Francis Ladwidge, oficeri britanez që shërbeu në Kosovë, filloi dëshminë po më 18 korrik dhe e mbaroi më 19 korrik, ku nisi dëshminë dëshmitari i 15-të, i cili e përfundoi më 20 korrik.
Kurse, më 14 gusht filloi dhënien e dëshmisë dëshmitari i 16-të, e që e përfundoi më 16 gusht dhe më 17 gusht përfundoi dëshminë dëshmitarja e 17-të, Dragica Bozhaniq.
E dëshmia e dëshmitarit të 18-të ka filluar më 28 gusht dhe ka mbaruar më 29 gusht, në ditën kur filloi dëshminë dëshmitari i 19-të, i cili përfundoi dëshminë më 30 gusht.
Më 4 shtator përfundoi në të njëjtën ditë dëshminë dëshmitari i 20-të, kurse pa masa mbrojtëse, dëshmitari i 21-të, Agim Idrizi filloi të dëshmojë, i cili përfundoi dëshminë më 5 shtator, ku edhe filloi dëshmia e zyrtarit nga organizata ndërkombëtare “Human Rights Watch”, të Frederick Abrahams, i cili përfundoi më 11 shtator.
Më 11 shtator ka përfunduar edhe dëshmia e dëshmitarit të 23-të, ndërkaq më 12 shtator ka filluar të dëshmojë dëshmitari i 24-të.
Në të njëjtën ditë ka filluar dëshminë dëshmitari i 25-të Douglas Young, ish-oficer i ushtrisë britanike, i cili ka përfunduar dëshminë më 14 shtator.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020./BetimipërDrejtësi