Këshilli Gjyqësor i Kosovës gjatë vitit 2024 ka publikuar gjithsej 78 aktgjykime që kanë marr Gjykatat Themelore në rastet e veprave penale të korrupsionit.
Ndonëse secili rast ka specifika ndryshe, të gjithë kanë një të përbashkët, e që është se politika ndëshkimore vazhdon të jetë në nivel të ulët.
Sipas Grupit për Studime Juridike dhe Politike, gjyqtarët vazhdojnë të jenë të mëshirshëm për shqiptimin e dënimeve.
“…ka dalë që politikat ndëshkimore janë kogja të ulëta pa marr parasysh dëmin e lartë që i shkaktohet buxhetit të shtetit apo pasurimit të paligjshëm të zyrtarëve publik, një trend që po shkon duke u rrit që është pak më pozitiv gjykatat kanë shqiptuar dënime plotësuese..”, ka thënë Dea Fetiu – GLPS.
Në raportin e GLPS-së, mbi trajtimin e rasteve të korrupsionit që do të publikohet gjatë kësaj jave, theksohet se gjykatat zgjasin me vite të tëra proceset gjyqësore në rastet e korrupsionit për shkak të shtyrjes së seancave.
Por, një praktikë të tillë, tashmë është duke e zbatuar edhe Gjykata e Apelit, e cila sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi, po ul dënimet e Themelores.
“Si dënimet efektive për vepra penale të marrjes së ryshfetit apo keqpërdorim i detyrës zyrtare të njëjta dënime me burgime efektive janë kthyer në dënime me kusht, realisht pastaj edhe nga vendimarrja e Apelit më njëfar forme krijon njëfar precedenti dhe një lloj standardi tek gjykatat themelore që të mos shqiptojnë dënime me burgim efektiv tek veprat penale të kësaj natyre..”, ka thënë Flamur Kabashi – Hulumtues, IKD.
Por, ish-kryetari i Gjykatës së Apelit, për këtë fajëson gjykatat e shkallës së parë, që nuk i arsyetojnë sa duhet aktgjykimet.
“Mendoj që Gjykatat themelore i kanë disa shabllone edhe kur ti përcaktojnë rrethanat lehtësuese e rënduese vetëm në mënyrë shabllonike i përdorin ato mirëpo duhet secili rast vec e vec të e vlerësoje gjyqtari sikur rrethane lehtësuese e edhe ashtu rënduese…”, ka thënë Hasan Shala – Ish-kryetar i Gjykatës së Apelit.
Në lidhje me këtë çështje nuk kanë kthyer përgjigje nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, e as nga Gjykata e Apelit.
Në vitin 2018 Gjykata Supreme e Kosovës, hartoi një udhëzues për politikën ndëshkimore, pikërisht si shkak i mangësisë dhe mospërputhjes serioze tek gjykatat në caktimin e dënimit e mungesës së arsyetimit në vendimet e marra.