Që në seancën e shqyrtimit fillestar, gjyqtari Adnan Isufi nuk u duk i bindur me aktakuzën e prokurores, në lidhje me rastin e 11 vjeçares.
Isufi vlerësoi se përshkrimi i aktakuzës dhe veprat penale me të cilat akuzohen të pandehurit nuk janë në pajtim me njëra tjetrën.
Kështu, prapa dyerve të mbyllura i kërkoi asaj që aktakuza të ndryshohet dhe të plotësohet.
Saktësisht 22 ditë pas kësaj seance, gjyqtari Isufi vendosi t’i hedhë poshtë shumicën e pikave të aktakuzës.
Megjithatë, Gjykata e Apelit ia ka anuluar atij këtë vendim, duke e kthyer rastin në rivendosje.
Avokati i të akuzuarit Ekrem Rexhepi, Fitim Limani, tregon se cilat akuza nuk ishin në një linjë.
“I mbrojturi im akuzohet për dy vepra penale. “Shërbime seksuale të viktimës së trafikimit dhe “Trafikim me njerëz”. Dhe kjo aktakuzë nuk është përputhur me këto dy vepra penale. Përshkrimi dhe veprimet inkriminuese nuk janë përputhur”, ka thënë Limani.
Në njoftimin e Apelit për hudhjen e aktvendimeve të Themelores së Prishtinës, theksohet se kishte shkelje esenciale.
“Gjykata e shkallës së parë nuk ka dhënë arsyeje të mjaftueshme ligjore kur ka hedh aktakuzat e lartcekura, respektivisht arsyet të cilat janë dhënë nga gjykata e shkallës së parë për hedhjen e aktakuzave janë të paqarta dhe kundërthënëse në vetvete dhe në kundërshtim me bazën ligjore për hedhjen e aktakuzës”, kanë thënë nga Gjykata e Apelit.
“Gjyqtari në bazë të asaj që e kemi lexuar dhe e kemi kuptuar është që nuk e ka ndjerë veten të sigurt për të shkuar në shqyrtim të dytë apo në shqyrtim kryesor pa u bindur për disa veprime, për disa fusha të cilat ai ka konsideruar se do të ndikonin që të kishim një gjykim të drejtë të paanshëm të pavarur”, ka thënë nga IKD-ja, Ehad Miftaraj.
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, pret që Apeli të jap disa rekomandime të qarta.
“Në këtë fazë është lajm i mirë që Gjykata e Apelit e ka kthyer rastin në rivendosje, me besimin që Gjykata e Apelit do të jap rekomandimet konkrete si për gjyqtarin, si për prokurorin për t’u siguruar që në radhë të parë aktakuza do të jetë kualitative, do të precizohen veprimet e secilit të pandehur”, ka shtuar Miftaraj.
Në rastin e 11 vjeçares janë pesë persona të akuzuar, dy prej tyre të rritur, kurse tre të tjerë të mitur.
Viktima e njëjtë e ka edhe një rast tjetër të ngjashëm, në të cilin janë të akuzuar gjashtë persona.