Një i mitur ka pësuar lëndime trupore si pasojë e goditjes me mjete të forta në rrugën “Besa Besë” në Fushë Kosovë.
Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka konfirmuar rastin dhe ka bërë të ditur se viktima është dërguar për trajtim mjekësor.
“Sot rreth orës 18:00, kemi marrë informatën për një lëndim trupor në rrugën ‘Besa Besë’ në Fushë-Kosovë. Bazuar në të dhënat fillestare, dyshohet se në këtë rast nga mjete të forta është lënduar një person (i mitur). I njëjti është dërguar për trajtim mjekësor, ndërkohë që policia ka nisur një hetim lidhur me rrethanat e këtij rasti”, ka deklaruar Ahmeti.
Aktualisht, një person i dyshuar për përfshirje në incident po intervistohet nga policia.
Ende nuk ka detaje shtesë lidhur me motivin apo rrethanat që çuan në këtë akt të dhunshëm.
Rasti mbetet nën hetim.