Një person ka vdekur në fshatin Talinovc të Muhaxherëve të Komunës së Ferizajt, pasi u godit nga një veturë, ngasësi i së cilës dyshohet se nuk i është përshtatur shpejtësisë së lejuar dhe kushteve të rrugës.
Zëdhënësi i Policisë në Rajonin e Ferizajt, ka bërë të ditur për Portalin Dukagjini se viktima ishte i moshës 64-vjeçare dhe në momentin e aksidentit ishte duke ecur.
Veseli theksoi se menjëherë pas këtij aksidenti viktima ishte dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj, por nuk kishte mundur t’u mbijetonte plagëve të marra.
“Me datën 01.11.2022 rreth orës 00:05 në fshatin Talinovc të Muhaxherëve nē Ferizaj, ka ndodhur aksident komunikacioni me fatalitet, e përfshirë një automjet i udhëtarëve me targa vendore, të cilin e drejtonte shoferi B.G (M/K) i moshës 44-vjeçar dhe këmbësori N.O ( M/K) i moshës 64 vjeçar. Deri te aksidenti dyshohet të ketë ardhur, shkak i mospërshtatjes së shpejtësisë dhe kushteve të rrugës, ku për pasojë lëndime të rënda trupore ka pësuar këmbësori, të cilin për ndihmë mjekësore me autoambulancë dërgohet në Qendrën Emergjente në Ferizaj. Nga mjeku kujdestar është konstatuar se viktima/këmbësori ka ndërruar jetë”, ka deklaruar Veseli.
Zëdhënësi i Policisë, po ashtu, njoftoi se Njësia e Hetimeve të Aksidenteve e Komunikacionit Rrugor ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nën autorizim të Prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore e Ferizajt i ka nisur hetimet.
Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion, ndërsa i dyshuari/ shoferi është ndaluar për 48 orë për procedura të mëtejme hetimore.